Kryetari i zgjedhur nga Këshilli Qendror i Shkupit, Nexhbedin Kahremani ka reaguar duke thënë që “dyshohet se personat që e kanë bërë këtë janë disa ekstremistë të dhunshëm të Çairit dhe të fshatit Llërcë të Tetovës, ndërsa i shoqëruar nga këta njerëz, ka ardhur edhe, tashmë kryetari i shkarkuar, Bilall Kasami”
Përmes konferencës për shtyp që u mbajt në Tetovë, sot kanë reaguar edhe anëtarët e degës dhe nëndegëve të BESË-s në Tetovë , duke i dhënë mbështetje vendimit të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA për caktimin e Nexhbedin Karemanit për ushtrues detyre kryetar i Lëvizjes BESA, njofton Portalb.mk.
“Karemani e gëzon mbështetjen e plotë të të gjithë strukturave të Lëvizjes BESA dhe më gjerë, por edhe të tetovarëve e të tjerëve, madje edhe përtej dallimeve politike. Prandaj ne dëshirojmë të falënderojmë Këshillin Qendror që në çastet e organizimit të brendshëm në Lëvizjen BESA, e zgjodhi Karemanin për këtë detyrë, sepse ai është një figurë që bashkon dhe nuk përçan, si dhe një personalitet i nderuar, për të cilin jemi të bindur se me urtësi dhe qasje pozitive që e ka mund të drejtojë me sukses Lëvizjen BESA deri në kongresin e saj”, tha Bashkim Uzairi.