Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, është pritur nga ministri i Jashtëm dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Temë diskutimi, veç tjerash, ka qenë edhe hapja e Ambasadës së Kosovës në EBA, gjegjësisht në Abu Dhabi, për ç’gjë është rënë dakord që ajo të nis procedurat e hapjes që nga java e ardhshme.
“Hapja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në EBA, ka qenë një temë tjetër diskutimi në aspektin politik dy-palësh, dhe është rënë dakord që Ministria e Jashtme e Kosovës t’i fillojë procedurat e hapjes së saj në Abu Dhabi që nga java e ardhshme”, thotë MPJ në njoftimin për media.
Në kuadër të këtij takimi, i cili u zhvillua në një ambient shumë miqësor, të dy kryediplomatët e shteteve respektive diskutuan mbi çështjet që prekin interesin e të dyja vendeve.
Gjatë takimit, Pacolli fillimisht e ka falënderuar homologun e tij Sheikh Abdullahun për, siç thuhet në komunikatën e MPJ-së, përkrahjen e vazhdueshme që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë dhe po e bëjnë për Kosovën, “jo vetëm në njohje, por edhe duke e përkrahur fuqishëm anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”.
Në funksion të kësaj, është diskutuar edhe sinkronizmi i punëve të përbashkëta për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, ku samiti i radhës i kësaj Organizate do të mbahet në Abu Dhabi.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i EBA-s, ka premtuar shtimin e angazhimit të tij edhe personal në çështjet që ndërlidhen me forcimin e subjektivitetit dhe integrimit të mëtutjeshëm ndërkombëtarë të Kosovës.
Në lidhje me çështjet e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes dy vendeve, Ministri i Jashtëm, Pacolli, përmes homologut të tij, i ka bërë thirrje investitorëve potencial nga EBA për të investuar në Kosovë, gjë e cila është mirëpritur dhe vlerësuar nga bashkëbiseduesi.