Zëvendësministri Gjergj Dedaj kishte kërkuar ndihmë financiare nga një bashkatdhetar në Berlin duke i premtuar se borxhin prej 400 eurove do t’ia kthente më 28 nëntor të atij viti, kur edhe do t’ia uronte Pavarësinë e Shqipërisë. Por, teksa kanë kaluar disa nëntorë, borxhi ka mbetur i pashlyer.
Kur në vitin 2012 Gjergj Dedaj ndodhej në Gjermani, ai kishte bërë plan që të shfrytëzonte udhëtimin e tij në vendin ku ka numër të konsiderueshëm të kosovarëve, që të mbledhë të holla për të tejkaluar një krizë financiare.
Për këtë qëllim, kryetari i Partisë Liberale të Kosovës e aktualisht zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ka kontaktuar me një person që jeton në Berlin, Limon Cakaj, të cilit i kishte kërkuar që të shiheshin në një takim të karakterit miqësor.
Cakaj kishte pranuar ftesën por gjërat kanë filluar të komplikohen kur Dedaj ka bërë kërkesën e dytë ndaj tij: ai i kishte kërkuar Cakajt që të mbledhë edhe mërgimtarë të tjerë dhe t’ia sigurojnë atij një përkrahje financiare prej 900 eurove.
Kërkesa për të mbledhur mërgimtarët për një qëllim të tillë i ishte dukur e paarsyeshme Cakajt, që thotë se “pas luftës nuk ka qenë më e arsyeshme” të grumbullohen fonde të tilla. Megjithatë, mërgimtari kishte vendosur që t’ia huazojë 400 euro për shkak të insistimit të Dedajt i cili kishte shpjeguar se të hollat i duhen për të paguar qiranë e zyrës, në të kundërtën do të detyrohet ta mbyllë atë.
“Ishte fundi i tetorit të vitit 2012 dhe më tha se më 28 nëntor ua dërgoj të hollat dhe ua uroj 100 vjetorin e pavarësisë,” tregon Cakaj.
Cakaj i kishe dërguar Dedajt 400 euro përmes Western Union, ndërsa faturën e transferim e posedon Insajderi.
Që nga ajo kohë, Dedaj ka refuzuar t’ia kthejë mjetet, ndërsa përmes disa bisedave në Facebook – të cilat po ashtu i posedon Insajderi – ai është arsyetuar se borxhi prej disa qindrave eurove nuk është asgjë në krahasim me punën që ka bërë ai për Kosovën.
“Përshëndetje z. Cakaj, sot prita të ma uroni pavarësinë e Kosovës, për të cilën të gjithë por edhe unë kam dhënë çdo gjë tash e afër tri dekada,” i thotë Dedaj huadhënësit të tij më 17 shkurt të vitit 2013.
“Po thoni se jam si politikanët e tjerë [por] mua së paku mos më fut në atë thes se nuk rri dot aty…Keni të drejtë të mllefoseni sepse nuk keni asnjë obligim ta dini situatën time të rëndë, për shkak se njëherë me vrau Serbia e pastaj edhe më plagosi Kosova,” shkruan Dedaj, duke kërkuar falje që i ka vonuar paratë.
Për më tepër, i kontaktuar nga Insajderi, zëvendësministri Dedaj fillimisht ka mohuar se e njeh Limon Cakaj por ai ndryshoi qëndrim gjatë bisedës pasi u njoftua se redaksia ka parë faturën e transferimit të mjeteve por edhe bisedën në Facebook.
“Çfarë rëndësie ka nëse i ka ndihmuar partisë. Nëse i ka ndihmuar partisë e i ka ra pishman, mundem që nëse është në evidence, ne ja kthejmë të hollat. Jam në Bruksel për do vizita më të rëndësishme për Kosovën,” i ka thënë ai Insajderit.
“Ne ja kthejmë, nuk ka nevojë mu shqetësuar aspak ai,” ka shtuar Dedaj.
Por, se Dedaj dhe Cakaj ishin dakorduar që mjetet të kthehen e të mos jepen si formë donacioni, shihet dhe në bisedat në Facebook. Në një bisede të zhvilluar më 18 mars të vitit 2013, Cakaj i ankohet Dedajt se nuk po i lajmërohet në telefon, duke i thënë se derisa arriti t’ia merrte paratë, “kishte kohë që nga tre herë në ditë të më shkruash.”
Dedaj i përgjigjet se është jashtë Kosovës dhe sërish i kërkon falje duke e siguruar se do t’ia kthejë ato. “Po, profesor, keni të drejtë, jam jashtë Kosovës dhe do t’i kthej duke të kërkuar falje për vonesën por gjithnjë kam menduar se një njëri si ju do të ketë mirëkuptim për mua”, përgjigjet Dedaj.
Përveç këtij rasti, Dedaj ka edhe histori të tjera për mos shlyerje të borxheve. Për më tepër, në vitin 2012 ai është paditur nga një qytetar për shkak se i ka mbetur borxh disa mijëra euro për banesën që ai e kishte shfrytëzuar si zyrë në sheshin Nënë Tereza në Prishtinë.
Po ashtu, në vitin 2010, Gjergj Dedaj ishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit në Ministrinë e Transportit, nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, nën dyshimin se ka keqpërdorur paratë e Ministrisë së Punës, në kohën sa në këtë dikaster mbante pozitën e zëvendësministrit.
Dedaj dyshohej se brenda një periudhe prej 11 muajve, kishte shfrytëzuar 33 mijë euro nga kredit-kartelat e Qeverisë dhe mbi 8 mijë euro të tjera për avance pa mbulesë.
Shkarkimin e tij, Qeveria e Kosovës e cilësonte si vazhdë e luftës së pakompromis ndaj korrupsionit, dukurive negative dhe është në funksion të fuqizimit të qeverisjes së mirë, transparente dhe efektive.