Inspektorati policor i Kosovës nuk po e sheh të udhës ta suspendoj Drejtorin e Krimeve Ekonomike, Nazim Sahitin, as pas publikimit të një video të gjatë ku shihet se si ai kishte asistuar kolegun e tij Avni Berishën të njohur me nofkën “Tarkani” për ta rrahur brutalisht Menaxherin e Telekomit, Agron Mustafën, mesditën e 30 dhjetorit, në qendër të Prishtinës.
Gazeta Express të enjten ka pyetur sërish Inspektoratin Policor të Kosovës nëse ka ndërmarr ndonjë masë për Sahitin pas publikimit të kësaj videoje dhe qartësimit se çfarë realisht kishte ndodhur atë ditë.
Por, IPK në përgjigjet për Express nuk ka treguar nëse ka ndërmarr ndonjë masë ndaj Sahitit, duke thënë se nuk mund të jepen detaje tjera, për shkak të hetimeve që po zhvillohen për këtë rast.
“ Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me rastin në fjalë ka lëshuar dy komunikata për media. Në të njëjtat janë përshkruar veprimet hetimore dhe masat administrative të cilat janë ndërmarrë nga hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent. Të njëjtat edhe janë publikuar në ueb faqen zyrtare të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Këto dy deklarata kanë të bëjnë, njëra për përfshirjen e dy policëve në rrahje e cila ishte lëshuar menjëherë pas ngjarjes për mediat, dhe tjetra për njoftimi suspendimin e policit Avni Berisha.
Inspektorati thotë se janë në koordinim me prokurorin kompetent për ndriçimin e rastit.
“Për shkak të procesit hetimor nuk mund të jepen detaje të tjera shtesë lidhur me këtë rast. Në koordinim të plotë me prokurorin kompetent hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rastit, dhe në koordinim të njëjtë do të ketë edhe informacione shtesë për mediat dhe qytetarët kur një gjë e tillë nuk do të pengojë procesin hetimor.”, thuhet në përgjigjet e inspektoratit policor.
Videoja e publikuar mbrëmë në media, ka qenë në duart e Policisë dhe Prokurorisë që nga dita kur ka ndodhur rrahja.
Ndryshe, Inspektorati kishte suspenduar të nesërmen policin Avni Berisha, ndërsa edhe pas dy javëve po e amniston Nazim Sahitin. /Gazeta Express