Grupi i deputetëve të Besës e mbështeti Ligjin për përdorimin e gjuhëve edhe pse me të nuk zyrtarizohet përdorimi i gjuhës shqipe, deklaroi deputetit Fadil Zendeli në Kuvend pas miratimit të Ligjit.
“Ne si grup parlamentar më parë kemi deklaruar se do ta mbështesim ligjin dhe sot votuam, siç kemi votuar për ligjin edhe në lexim të parë, edhe pse për të kemi vërejtje. Konsiderojmë se me këtë ligj nuk zyrtarizohet gjuha shqipe, por ka vetëm një avancim të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore”, tha Zedeli.
Ai paralajmëroi se të gjithë pesë deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes BESA do të vazhdojnë të veprojnë të vetëm sikur deri më tani, konform platformës, programit dhe statusit të lëvizjes.
“Të gjitha ngjarjet në parti i lëmë që të zgjidhen si çështje të brendshme të organeve të lëvizjes” shtoi Zendeli.
Ligji për përdorimin e gjuhëve sot u miratua me 69 vota nga 69 deputetë të pranishëm. Sipas listimit të votimit për ligjin kanë votuar të gjithë deputetët e LSDM-së dhe të Koalicionit, BDI-së, dy deputetë të Aleancës për Shqiptarët, Meral Ferati nga PDSH-ja, si dhe deputetët e pavarur Amdi Bajram nga Lidhja e Romëve, Çedomir Sazdovski nga GROM dhe Vesel Memedi nga Rilindja Demokratike Kombëtare.