Ish-përfaqësuesi i Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd i ka quajtur shtetshkatërrues tre liderët institucionalë të Kosovës.
Lulzim Peci, ish-përfaqësuesi i Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd i ka quajtur shtetshkatërrues tre liderët institucionalë të Kosovës.
Ai ka shkruar në facebook se Koosva mund të përballet me probleme “për shkak të interesave meskine të një grupi të vogël të individëve që e quajnë veten shtet-ndërtues, por që në realitet janë shtet-shkatërrues te vendit tone”.
Peci më tutje ka parashikuar që Kosova mund të jetë një shtet që mund të përballet me sanksione.
“Pas Serbisë së Millosheviqit, në Ballkan, vetëm Kosova do e bjerë veten që të jetë shtet që do të përballet me sanksione – prej izolimit individual të të ashtuquajturëve liderë, deri te suspendimi i MSA-së”, shkroi më tutje Peci.
Lulzim Peci reagoi kështu, pasi u publikua rendi i ditës i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit në të cilin është përfshirë edhe Projektligji për Shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me të cilin iu hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.
Pas futjes në rend të ditës të këtij projektligji, dje shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti tha për KALLXO.com se Kosova nuk duhet të dërgojë sinjale që nuk dëshiron të përballet me Gjykatën Speciale.
Më 22 dhjetor të vitit 2017, disa deputetë të Kuvendit të Kosovës nënshkruan nismën për shfuqizimin e ligjit që i hapi udhë krijimit të Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e UÇK-së.
Por atë ditë Kryesia e Kuvendit dy herë dështoi të mblidhet për mungesë kuorumi, ndërsa nuk arriti ta çojë këtë nismë në Kuvend.
Dje Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e qeverisë tha se ekzekutivi nuk ka ndonjë propozim ligjor në lidhje me shfuqizimin e speciales për ta dërguar në Kuvend. Po dje Zyra e BE-së u kërkoi deputetëve që nënshkruan nismën për shfuqizim që të heqin dorë prej saj.