Ministrja e Integrimit thërret për miratim të demarkacionit – “mos i mbani të izoluar qytetarët”

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, iu ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që ta ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe t’i gëzojnë qytetarët që kanë mbetur të izoluar.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës kthehet në punë pas pushimit dimëror. Të hënën, Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme do të diskutojë për marrëveshjen për shënjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe do të vendosë për procedim të mëtutjeshëm në seancën e radhës.

Ministrja Hoxha, në një intervistë për Ekonomia Online, ka shfaqur shpresën se marrëveshja do ta marrë mbështetjen e deputetëve dhe demarkacioni të kalojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Tanimë është bërë një kohë mjaft e gjatë prej vendimit të fundit kur Kosovës iu dha rasti me përmbushjen e dy kushteve të mbetura të gëzojë procesin e lëvizjes së lirë, procesin e liberalizimit të vizave. Por fatkeqësisht u tejzgjat. Marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi është ende e paratifikuar në Kuvend”.

“Dëshiroj të shfrytëzoj rastin të bëjë thirrje te anëtarët e Kuvendit, deputetët, që të kalojnë këtë marrëveshje dhe me të vërtetë t’i gëzojnë qytetarët dhe viti 2018 të jetë një vit kur qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm dhe nuk do të jenë qytetarët e vetëm të cilët mbesin të izoluar”.

“Ta ndalim këtë fatkeqësi dhe t’ua japim lirinë e lëvizjes qytetarëve tanë”, shprehet Hoxha.

Në këtë intervistë, Hoxha ka përsëritur synimin që gjatë këtij viti, Kosova të aplikojë për statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Në çdo prononcim që kanë bërë zyrtarët e lartë të BE-së, në diskutimet e tyre qoftë publike apo qoftë publikimet e tyre të shkruara, tregojnë se rajoni, pra Ballkani Perëndimor, ka një të ardhme, perspektivë të qartë për vitin 2018, pra është një dritare. Dhe e kam thënë edhe në paraqitjet e mia të kaluara që ne si Kosovë duhet ta shfrytëzojmë vitin 2018 që ta arrijmë sa më tepër të integrojmë dhe të arrijmë të kyçemi në proceset që po fillojnë për rajonin”.

“Është më rëndësi që ne ta kryejmë punën tonë, pra ne t’i përmbushim obligimet tona. Dhe nuk është rastësisht që po e përmendim që në fund të vitit 2018, do aplikojmë për statusin e vendit kandidat, sepse duam ta bëjmë të qartë që Kosova të jetë pjesë e procesit integrues përbërëse e integrimit të Ballkanit Perëndimor”.

Sipas ministres kosovare, nuk mund të ketë integrim apo zgjerim, nëse edhe Kosova nuk është pjesë e këtyre planeve për zgjerimin e mëtutjeshëm./EO

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme