Përplasjet për Gjykatën Speciale – PDK s’e përfill qëndrimin e Veselit

Përplasje verbale lidhur me iniciativën e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, po vazhdojnë ende.

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike, si dhe njohës të çështjeve juridike dhe politike, në rubrikën e përjavshme “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, flasin për qasje të ndryshme lidhur me nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Me 22 dhjetor të vitit të kaluar, dy tentime që kërkesa e 43 deputetëve të dërgohet në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, kishte dështuar.

Qëndrimi i unifikuar i liderëve institucionalë të Kosovës, presidentit të vendit, Hashim Thaçi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, që ishte shfaqur më 22 dhjetor të vitit të kaluar, përballë kërkesës së 43 deputetëve, është braktisur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Më 8 janar të këtij viti, përmes një shkrimi autorial, Veseli kishte thënë se “Gjykatën Speciale më së paku në botë e ka merituar Kosova që t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë, edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj”.

Por, a ka vendosur subjekti më i madh në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës, se cili do të jetë qëndrimi i saj edhe në qoftë se eventualisht kërkesa e 43 deputetëve arrin në Kuvend të Kosovës për të votuar?

Përplasjet brenda dhe ndërpartiake

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se brenda kësaj partie ende ka mospajtime lidhur me këtë çështje, por që lideri i saj, Veseli, tashmë ka publikuar qëndrimin për Gjykatën Speciale.

“Për mua, deklarata e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Veselit, është deklaratë e përgjegjshme, një deklaratë për të cilën, deputetët, cilitdo qofshin, ata të Partisë Demokratike, duhet të reflektojnë, për një deklaratë që jep një orientim edhe për deputetët, por edhe për Partinë Demokratike të Kosovës”, thotë Haliti.

Por, Nait Hasani, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili është nga nismëtarët e kërkesës së nënshkruar nga 43 deputetë, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, se kërkesa e tyre mbetet në Kuvend dhe se nuk do të tërhiqet.

“Kërkesa e deputetëve me 43 nënshkrues, ka qenë, është dhe do të mbetet si kërkesë, drejtuar Kuvendit të Kosovës për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe Prokurorinë e Specializuar”, ka thënë Hasani.

Në anën tjetër, partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se pavarësisht se nuk e dëshiron Gjykatën Speciale, shfuqizimin e saj nuk do ta mbështesë.

Lëvizja Vetëvendosje, megjithëqë deputetë të caktuar të saj kanë theksuar se do të votojnë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ende nuk ka dhënë zyrtarisht një qëndrim përfundimtar.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë ditë më parë se subjekti politik të cilit i përket, do të jetë kundër Gjykatës Speciale, ashtu siç ka qenë në vitin 2015.

“Të njëjtën qasje do ta kemi. Ne do të jemi kundër kësaj gjykate dhe do ta manifestojmë me votën tonë në seancë, kurdo që të vjen”, ka thënë Selimi.

Në favor të shfuqizimit të Gjykatës Speciale është shprehur edhe Nisma për Kosovën.

Pasojat eventuale

Në anën tjetër, presidenti i vendit Hashim Thaçi, disa herë ka përsëritur qëndrimin se në rast se deputetët e Kuvendit do ta votonin shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ai nuk do të dilte kundër vullnetit të deputetëve./Rel

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme