Ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa, vazhdon ta mbështesë Gjykatën Speciale.
Ai edhe sot nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook ka thënë se të gjitha ato perceptimet që janë krijuar për UÇK-në do të rrëzohen dhe eprorët e saj do të dalin faqebardhë.
Mustafa që ka qenë ish-komandant i Zonës Operative të Llapit pret që Gjykata Speciale të zgjeroj fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, “të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë”, ka shkruar Mustafa.
Statusi i Mustafës:
Të gjitha fjalët dhe propagandat sugjestive si dhe percepsionet e krijuara për UÇK-në do të rrëzohen dhe eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë.
Jam i sigurt se gjatë kohës së luftës në Kosovë, nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë.
Pres që Gjykata Speciale të zgjeroj fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë.
Mendoj se ka pasur një koordinim të qarqeve “akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione te krijuara me mund si gjykatat, universitetet dhe gjithçka qe i jepte fryme zhvillimit dhe rrugës se vendit për ecje se mbari.
Besoj në vlerat e lirisë dhe se tani më shumë se kurrë do të jenë të qarta të gjitha të ligat që e kanë rënduar vlerat e UÇK-së, e ku do të shihet se në mënyrë të orkestruar kanë sulmuar me të pavërteta dhe gjysmë të vërteta, jo vetëm shteti mbi të cilin fituam, por edhe sistem shumë më i ndërlikuar se vet shtetit armik.