Papa Françesku hyri sot në xhaminë “Heydar Aliyev” në Baku

Sakte.net / e Hënë  03 Tetor 2016 – 08:40

Me këmbë të zbathura, siç e kërkon feja myslimane, Papa Françesku hyri sot në xhaminë “Heydar Aliyev” në Baku, së bashku me shehun e myslimanëve të Kaukazit, Allahshukur Pashazadeh, me të cilin ishte takuar pak minuta më parë privatisht.

 

Ishte vizita e fundit e Atit të Shenjtë, para ceremonisë së lamtumirës në aeroportin e kryeqytetit, me të cilën i dha fund udhëtimit të tij të 16-të apostolik në Gjeorgji e në Azerbajxhan.

“Fakti që jemi këtu sot, së bashku, është bekim!”, tha Papa, në takimin ndërfetar, ku përveç myslimanëve dhe katolikëve, ishin të pranishëm edhe ortodoksët dhe hebrenjtë e vendit.

“Është shenjë e madhe, të takohemi në miqësi vëllazërore në këtë vend lutjeje – vijoi Ati i Shenjtë – shenjë, që tregon atë harmoni, që mund të arrijnë fetë së bashku, duke u nisur nga marrëdhëniet personale dhe nga vullneti i mirë i përgjegjësve”.

 Bashkëpunimi me të tjerët nuk varfëron, por pasuron

Në xhaminë, ku shehu i myslimanëve i dhuroi një kopje të Kuranit dhe një tapet, si ai që përdorin myslimanët për lutje, Papa nënvizoi se “jo kundërvënia, por bashkëpunimi, ndihmon të ndërtohen shoqëri më të mira e paqësore, si edhe të promovohet dialogu dhe kultura. Duke ua hapur dyert mikpritjes dhe integrimit, hapen portat e zemrave të secilit dhe portat e shpresës për të gjithë”.

Duke cituar poetin e madh të Azerbajxhanit, Nizami Ganjavi, Ati i Shenjtë vërejti se bashkëpunimi me të tjerët “nuk varfëron, por pasuron, sepse  na ndihmon të jemi më njerëzorë: të pranojmë se jemi pjesë aktive e një bashkësie më të madhe dhe ta interpretojmë jetën si dhuratë për të tjerët; të shohim si qëllim jo interesat vetjake, por të mirën e njerëzimit; të veprojmë pa idealizma e pa interventizma, pa shkaktuar ndërhyrje të dëmshme e pa detyrime, por gjithnjë, duke respektuar dinamikat historike, kulturat dhe traditat fetare”.

“Pikërisht fetë – nënvizoi më tej Papa Françesku – kanë një detyrë të madhe: t’i shoqërojnë njerëzit në kërkim të kuptimit të jetës, duke i ndihmuar ta marrin vesh se aftësitë e kufizuara të njeriut dhe të mirat e kësaj bote nuk duhet të bëhen kurrë absolute… Feja është e nevojshme për njeriun, për të arritur qëllimin e tij, është busull për ta orientuar drejt së mirës e për ta larguar nga e keqja, e cila qëndron gjithnjë e strukur në portën e zemrës. Në këtë kuptim, fetë kanë një detyrë edukative: të ndihmojnë për të nxjerrë nga njeriu anën më të mirë të tij”.

Feja me shoqërinë, si xhami me drurin në “shebeke”-t azere

Duke folur, më pas, për marrëdhëniet e feve me shoqërinë, Ati i Shenjtë përdori sërish një analogji me vetratat artistike, për realizimin e të cilave janë mjeshtra azerët. “Shebeke”-t e famshme të tyre janë ndërtuar me dru dhe me xham, por pa asnjë lloj materiali ngjitës, pa zamk e pa gozhdë. Është druri, që mban xhamin, nga i cili hyn drita.

“Në të njëjtën mënyrë – theksoi Papa – është detyrë e çdo shoqërie civile ta mbështesë fenë, e cila lejon hyrjen e dritës së domosdoshme për jetën: prandaj është e nevojshme t’i garantohet liria e vërtetë. Por, nuk duhet përdorur ‘zamku” artificial, që e detyron njeriun të besojë, duke i imponuar një besim të caktuar e duke e privuar nga zgjedhja e lirë; e nuk duhet të hyjnë në fe as ‘gozhdat’ e jashtme të interesave, të etjes për pushtet e para. Sepse Zotit nuk mund t’i lutemi për interesa të njëanshme e për qëllime egoiste, Zoti nuk mund të justifikojë asnjë formë fundamentalizmi, imperializmi apo kolonializmi. Edhe një herë, nga ky vend kaq kuptimplotë, lartohet thirrja e zjarrtë: kurrë më dhunë, në emër të Zotit! Emri i shenjtë i Tij të adhurohet, të mos përdhoset e të mos tregtohet nga urrejtjet e kundërvëniet njerëzore”.

Ç’perspektivë jete u ofrojmë brezave të ardhshëm

Lutja e dialogu janë rrugët, që tregoi Papa, për bashkëpunimin e paqen ndërmjet feve, pa i hapur portën sinkretizmit e as ndonjë diplomacie, që i thotë “po” gjithçkaje. Paqja e vërtetë, nënvizoi Ati i Shenjtë, bazohet në respektin e ndërsjelltë, në vullnetin për t’i kapërcyer paragjykimet dhe për të shkuar përtej problemeve të së kaluarës, me guximin për t’i lënë mënjanë interesat e njëanshme, për të denoncuar varfërinë, përhapjen e armëve dhe fitimet e arritura, duke shkelur të tjerët. “Britma e gjakut të derdhur lartohet drejt Zotit nga toka, shtëpia jonë e përbashkët”. Duhet të japim sot, përgjigjen, e cila nuk mund të shtyhet më.

“Problemi i vërtetë i kohës sonë nuk është si t’i ndjekim interesat vetjake, por ç’perspektivë jete u ofrojmë brezave të ardhshëm, si t’u lëmë një botë më të mirë se ajo, që kemi marrë në dorëzim. Zoti e vetë historia do të na pyesin ç’kemi bërë sot për paqen; që tani, na e kërkojnë me zjarr brezat e rinj, që ëndërrojnë një të ardhme të ndryshme”.

“Në natën e konflikteve, që po kalojmë, – përfundoi Papa Françesku, duke folur veçanërisht për vendet e popujt e Kaukazit, pasuri për kulturën evropiane – fetë të jenë agime paqeje, fara rilindjeje në mesin e shkatërrimit të vdekjes, jehona dialogu që ndihen pa pushim, rrugë takimi dhe pajtimi për të arritur edhe atje, ku përpjekjet për ndërmjetësim zyrtar duket se nuk japin rezultat”.

Në orën 17.00 (19.00 me atë lokale), Papa Françesku u nis për në Romë nga aeroporti ndërkombëtar i Bakusë./RadioVatikani

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme