Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili njëherit është edhe kandidati i vetëm në garën për të marr kreun e partisë, ka thënë se në Lëvizjen Vetëvendosje ka demokraci, pasi që idetë të cilat jepen diskutohen dhe më pas merret vendim për to.
Në diskutim e sipër, Kurti ka rikujtuar se ai vetë nuk është as pronar i partisë e as baba.
“Unë zotohem para jush që kurrë nuk do ta kem fjalën e fundit. Sepse Lëvizja Vetëvendosje nuk është monarki e mbretni. As nuk jam pronar i Vetëvendosjes , e as babë i familjes. Absolutisht jo. Mua mund të më vijë ideja dhe e propozojë, por pa diskutim nuk ka vendim. Atij që i bjer në mend një gjë mund ta ketë fjalën e parë, por s’mund ta thotë dhe fjalën e fundit. Kjo është demokracia në Vetëvendosje”, ka thënë Kurti gjatë një tubimi në qytetin e Istogut, shkruan Periskopi.
Lëvizja Vetëvendosje për një periudhë disa mujore po përballet më përplasje të ndryshme, të cilat janë shoqëruar edhe me dorëheqje të disa figurave të rëndësishme të partisë, duke përmendur këtu Dardan Molliqajn, Aida Dërgutin, Shqipe Pantinën, Qëndron Kastratin, Visar Ymerin dhe Dardan Sejdiun.
“S’ka babë, ka ide” ka qenë një nga parullat e cila ishte parë e shkruar në muret pranë zyreve të Lëvizjes Vetëvendosje, menjëherë pas përplasjeve të ndodhura brenda partisë, të cilat nisen me publikimin e disa bisedave të brendshme partiake./Periskopi/