Policia franceze po hulumton në disa vende në kompaninë e qumështit Lactalis, si pjesë e një hetimi pas dyshimeve për kualitetin e qumështit të fëmijëve, raporton BBC.
Më shumë se 12 milionë kuti të qumështit pluhur të fëmijëve tashmë janë tërhequr në 83 lokacione pas shpërthimit të salmonelës.
Paditë janë paraqitur nga prindërit që thonë se fëmijët e tyre u sëmurën pas pirjes së qumështit. Vendet e bastisura përfshijnë një fabrikë në Craon, në veri-perëndim të Francës, transmeton Insajderi.
Fabrika u mbyll muajin e kaluar pasi mendohet se ndotja filloi në një nga kullat e saj të tharjes. Zëdhënësi i Lactalis Michel Nalet konfirmoi praninë e policisë.
“Siç kemi thënë më parë, Lactalis po bashkëpunon me autoritetet e drejtësisë dhe do të sigurojë gjithçka që është e nevojshme për një zhvillim të plotë të hetimit”, tha ai për agjencinë e lajmeve AFP.
Të paktën 37 foshnja janë prekur deri tani në Francë.
Grupi Lactalis është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të produkteve të qumështit, me një shitje vjetore prej 17 miliardë eurosh (21 miliardë dollarë), ka 246 njësi prodhimi në 47 vende dhe punëson vetëm 15,000 persona vetëm në Francë.
Zyrëtarë të kompanisë Lactalis kanë thënë se besojnë që ndotja është shkaktuar nga puna rinovuese në fabrikën e tyre Craon.
Në një intervistë të kohëve të fundit në gazetën franceze Journal du Dimanche, shefi ekzekutiv Emmanuel Besnier mohoi se firma kishte tentuar të fshehte ndodhinë.
Markat Picot, Milumel dhe Taranis tashmë janë tërhequr nga tregu.