Polici thotë se e pa në aeroport izraelitin e dyshuar për trafikim organesh

Eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, si dhe rreshteri i Policisë, Xhavit Plakolli, u dëgjuan sot në cilësinë e dëshmitareve në gjykimin për transplantimet e organeve që pretendohet se u bënë në klinikën “Medicus”.

Gjatë kësaj seance ka qenë e planifikuar që të dëgjohej edhe dëshmitari tjetër Nexhmi Qyqalla por për të njëjtin u vendos që dëshmia e tij e dhënë më 20 dhjetor 2011 të konsiderohet si e lexuar.

Për mjekoligjorin Arsim Gërxhaliu, i cili ishte i ftuar që të dëshmonte në cilësinë e dëshmitarit dhe jo në cilësinë e ekspertit të mjekësisë ligjore, prokurorja e çështjes Valeria Bolici deshi të dijë vetëm nëse ai qëndronte pranë deklaratës së tij të dhënë më 25 tetor 2011. Gërxhaliu tha se qëndron prapa asaj deklarate.

Kurse mbrojtësi i Sokol Hajdinit, avokati Ramë Gashi nga dëshmitari kërkoi të dinte përafërsisht numrin e rasteve në të cilat ai kishte marrë pjesë në cilësinë e ekspertit mjeko-ligjor.

Me këtë rast Arsim Gërxhaliu tha se është udhëheqës i Institutit të Mjekësisë Ligjore për më shumë se dhjetë vjet dhe se ka marrë pjesë në mijëra ekspertiza ligjore që kanë pasur të bëjnë për lëndime të lehta trupore.

“Për lëndime trupore jemi të thirrur shumë shpesh dhe me mijëra lëndë të dhëna bazuar në raportin mjekësor”, tha Gërxhaliu.

Më pas avokati Gashi kërkoi të dinte nga dëshmitari nëse ai në bazë të njohurive të tij mund të sqarojë nëse gjatë ndërhyrjeve kirurgjike një anesteziolog e bën hapjen e plagës.

Por me reagimin e prokurores si dhe më pas me aprovimin e kësaj kërkese nga ana e trupit gjykues nuk u lejua kjo pyetje me arsyetimin se dëshmitari ishte ftuar të dëshmonte në cilësinë e dëshmitarit dhe jo në cilësinë e ekspertit.

Më pas u dëgjua edhe dëshmitari Xhavit Plakolli, i cili tha se për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar ka mundësi që shumë gjëra të mos i kujtohen andaj deklaroi se qëndron pranë deklaratës së tij të dhënë më herët.

Xhavit Plakolli, i cili tha se në atë kohë ka punuar në Departamentin Kundër Trafikimit me qenie njerëzore në njësinë e viktimave tha se në lidhje me punën e tij i ka raportuar rreshteres Samire Xhemajlit.

Tutje ai deklaroi se më 4 nëntor 2008 përderisa kishte qenë së bashku me rreshteren Samire Xhemajlin, kishin marrë disa informacione se një person i cili është operuar planifikon të transferohet jashtë vendit dhe se duhej të shkonin në Aeroport.

Plakolli më pas tregoi se ai së bashku me kolegen e tij kishin shkuar në Aeroport dhe se aty kishin arritur të shihnin dy persona, njëri rreth moshës 40-50 vjeçare si dhe tjetri rreth 20 vjeç.

Për personin me të moshuar tha se ai në Aeroport ishte drejtuar drejt agjencionit dhe i kishte kryer procedurat rreth biletës dhe më pas personi rreth moshës 20 vjeçare kishte hyrë në pikën e kontrollit, ndërsa për personin me të moshuar tha se është kthyer prapa.

“Personi i vjetër ka shkuar në agjencion dhe e ka rregulluar çështjen e biletës së kthimit, nuk ka marrë shumë kohë dhe personi i ri ka hyrë në Aeroport në pikën e kontrollit ndërsa ky personi që ka qenë më i moshuar është kthyer prapa dhe kolegët kanë vazhduar brenda dhe janë marrë me këtë personin e ri. Unë kam qëndruar jashtë për të parë se nga po shkon ky personi i moshuar”, tha dëshmitari.

Më pas dëshmitarit iu paraqiten disa fotografi nga prokurorja dhe ai u pyet nëse mund t’i identifikonte personat që i shihte në ato foto.

Në lidhje me fotot dëshmitari tha se nuk i kujtohet t’i kishte bërë ai por arriti t’i identifikonte dy persona.

Ai në këto foto arriti të identifikonte Moshe Harelin, për të cilin tha se ai ka qenë personi të cilin e ka pasur nën vëzhgim dhe i cili i ka rregulluar procedurat e biletës për atë personin rreth moshës njëzetvjeçare, dhe më pas arriti të identifikonte edhe personin me emrin Michael Shafran, për të cilin tha se më vonë e ka kuptuar që kishte qenë djali i personit që ishte operuar.

Në lidhje me këta dy persona tha se i kujtohet se më pas ata janë larguar së bashku nga Aeroporti me një veturë të tipit “Golf 3” dhe se me ata kishte qenë edhe një person tjetër, i cili kishte vozitur por të cilin nuk kishte arritur ta shihte se kush kishte qenë.

“Nga aty ku kam qenë i ulur e kam parë që këta të dy kanë dalë dhe kanë hypë në një veturë sa më kujtohet ka qenë “Golf 3”, ngjyrë e mbyllët nga e zeza në të teget edhe një person tjetër ka qenë në veturë por kush ka qenë ai nuk e di”, deklaroi dëshmitari.

Në lidhje me personin i cili ishte operuar dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet emri i tij por tha se mendon që ka qenë i nacionalitetit turk.

Ditë më parë, Moshe Harel, shtetas izraelit, ishte arrestuar në Qipro nën dyshimin se është i përfshirë në trafikim organesh.

Lutfi Dervishi, që ishte pronar i klinikës “Medicus”, në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5. /kallxo.com/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme