Kjo është letra që e la Smajl Hajdaraj një muaj para se të ekzekutohej

16 vite më parë, në hollin e hyrjes së banesës së tij në Pejë, ishte vrarë në një pritë deputeti i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës dhe Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare në Rugovë, Smajl Hajdaraj. Sot, 16 vite pas, askush nuk është shpallur fajtor dhe familja ende vazhdon të kërkojë drejtësi. Express ju sjell letrën e fundit që kishte lënë Hajdaraj, një muaj para ekzekutimit, ku flet për luftën e UÇK-së, çlirimin e Kosovës dhe grupin që pengonte organizimin ushtarak të asaj kohe.

Familja e konsideron si testamentin e fundit që ruajnë nga familjari i tyre, mirëpo a ka qenë ky paralajmërimi i Smajl Hajdarajt para se të ekzekutohej?

Në një dorëshkrim, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kishte lënë një porosi për, siç shkruan në letër, hierarkinë e  UÇK-së, të cilët tashmë janë në krye të shtetit.

Sipas Hajdarajt, qysh atëherë lufta e mirëfilltë është penguar nga një grup i caktuar. Këta udhëheqës UÇK-në e kishin përdorur për të familjarizuar Ushtrinë dhe për interesa personale.

“Vlen te theksoj se organizimin ushtarak dhe luftën e mirëfilltë gjithnjë e ka penguar një grup që për koncept ushtarak e kishin konceptin jashtë institucional. Ushtrinë çlirimtare donin ta familjarizojnë, ta privatizojnë dhe shfrytëzojnë për interesa karrieriste dhe thjeshtë personale”, shkruan porosia e fundit që i la Kosovës ish- komandanti i zonës së Rugovës.

Djali i tij, Shpëtim Hajdaraj, i tha Gazetës Express se fëmijët po e ruajnë këtë letër si testament të fundit nga prindi.

Letra që flet me anë të kronologjisë, shpjegon ndodhi të luftës dhe, sipas Shpëtimit, po bëhet çdo ditë më e fuqishme dhe kuptimplotë.

Smajl Hajdaraj, njëri nga disa zyrtarët e lartë të LDK-së të vrarë pas luftës, në letrën-testament shprehet i emocionuar për lirinë e fituar dhe apelon për angazhim drejt pavarësisë./Express/

Në vazhdim është letra e plotë e Hajdarajt dhe faksimili i  saj:

Mendim

Edhe pse fillimi i luftës çlirimtare më gjeti udhëheqës partiak (Kryetar i LDK-së për Rugovë) nuk jam hamendur fare por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare.Kështu ndodhi edhe me një pjesë të aktivistëve të LDK-së dhe me pjesën më të madhe të anëtarësisë. Që nga fillimi i veprimit të Shtabit Rajonal të Rugovës (komandant i të cilit isha deri më 14 janar 1999) e deri me ranjën e Rugovës si teritor (me 21 prill 1999) Rugova dhe Rugovasit bënë një luftë karakteristike dhe shumë përmbajtësore: a) Teritori i Rugovës u mbajt teritor i lirë (Rugova ra me 21 prill 1999) b) Gjatë tërë kohës bëmë pranimin,strehimin dhe përcjelljen e dhjetëra mijëra të ikurve nga zona e Rrafshit të Dukagjinit. c) Bëmë pranimin ,strehimin dhe sistemimin e ushtarëve të përzënë nga Rrafshi i Dukagjinit.Pjesa më e madhe e tyre kërkuan përcjelljen gjë të cilën ua kemi mundësuar. d) Teritori i Rugovës dhe ushtria e saj u vunë në shërbim të përhershëm për kalimin dhe furnizimin e zonave të Kosovës me armatim dhe municion të domosdoshëm.

Mendoj se këto të vërteta dhe këto punë nuk duhet të harrohen nga askush , e aq më parë nga hierarkia ushtarake e UÇK-së.Vlenë te theksoj se organizimin ushtarak dhe luftën e mirëfilltë gjithnjë e ka penguar një grup që për koncept ushtarak e kishin konceptin jashtëinstitucional. Ushtrinë çlirimtare donin ta familjarizojnë,ta privatizojnë dhe shfrytëzojnë për interesa karieriste dhe thjeshtë personale.Këtë e ka dëshmuar edhe koha.Lufta e tyre më e madhe ishte kundër atyre pak institucioneve të krijuara dhe ndaj pjesëtarëve të LDK-së (lexo shumica rugovase). Më në fund .Jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe njëherit bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës-qëllim yni i tanishëm.

Ismail Hajdaraj ish Kom. i Shtabit Rajonal të UÇK-së për Rugovë

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme