Drejtori i Policisë serbe flet për veturën: Po, e dimë kush është pronari

Drejtori i Policisë Serbe, Vladimir Rebiq ka konfirmuar se vetura e gjetur në Mitrovicë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, i përket një serbi me nënshtetësi austriake.

Ai ka thënë se vetura është shitur disa herë kohëve të fundit dhe policia, sipas tij, është duke u munduar ta gjej se kush janë edhe blerësit dhe shitësit tjerë, shkruajnë mediat serbe, transmeton Periskopi.

“Menjëherë pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, Prokuroria për Krim të Organizuar ka iniciuar një hetim për krim terrorist. Kemi informata të sakta për pronarin e veturës, nga e cila dyshohet se është shtënë në Ivanoviqin”, i ka thënë Rebiq RTS-së.

Ai ka konfirmuar po ashtu atë që është raportuar në media, se pronari i veturës është i vdekur.

Thotë se këtë për Policinë e Serbisë e ka konfirmuar Policia e Austrisë.

Por, sipas tij, vetura ka qenë e shitur dhe e blerë disa herë, prandaj ai thotë se janë duke hetuar zinxhirin e shitjes dhe blerjes së veturës “Opel Astra”.

Ai ka thënë se autoritetet serbe kanë indicia të bindshme që i çon ata drejt vrasësve të Oliver Ivanoviq.

“Gjurmët shpiejnë te një automjet nga i cili dyshohet se është kryer vrasja, dhe ne kemi informacione mbi pronarin e veturës, e po ashtu jemi duke u përpjekur edhe për informacione shtesë. Për mos dëmtuar hetime, nuk do të jap më shumë informacione”, ka thënë Rebiq.

Policia e Serbisë i ka bërë thirrje EULEX-it dhe UNMIK-ut për t’u përfshirë në hetimet për vrasjen e Ivanoviq, por sipas mediave serbe, nuk ka asnjë përgjigje ende. Por, EULEX në një përgjigje për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” ka thënë se përfshirja e Serbisë në hetimin e vrasjes së Ivanoviq, është çështje e Prishtinës zyrtare.

“Disa herë kam kërkuar nga shefi i EULEX-it që të na jap informacione dhe të na e lejojë pjesëmarrjen në hetimet e Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Megjithatë, Rebiq ka shpresë se përgjigja e EULEX dhe UNMIK do të jetë pozitive mbi këtë kërkesë të Policisë së Serbisë. /Periskopi/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme