Gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafës, është duke u përmirësuar, sipas avokatit Besnik Berisha, e i cili është pothuajse Zëdhënësi i familjes së Kryetarit të LDK-së.
Berisha thotë se Mustafa ka filluar me seancat fizioterapeutike në Gjermani, ku kishte mbërritur ditë më parë. Nuk dihet se sa gjatë do të qëndrojë atje.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka zgjedhur Gjermaninë që t’i nënshtrohet terapisë pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Fillimisht vuante nga gripi sezonal, mirëpo për shkak të trajtimit të vonshëm të tij gjendja e tij shëndetësore nuk gjeti përmirësim në Kosovë, anipse qëndroi për më shumë se një javë në një spital privat në vend.
Aktualisht Isa Mustafa gjendet në një qendër rehabilitimi në Gjermani, ku po iu nënshtrohet terapive fizioterapeutike atje.
Detaje për gjendjen shëndetësore të Mustafës, ka dhënë ish-këshilltari i tij, Besnik Berisha. Gjendja e Mustafës, sipas tij, po shkon drejt përmirësimit.
“Gjendja është stabile, përmirësimi është evident. Po vazhdon fizioterapia, andaj në ditët në vijim pritet që të intensifikohet fizioteprapia, sepse sipas mjekëve vetëm kjo është e nevojshme për momentin”, ka thënë Berisha për Express të enjten.
Berisha thotë se ende nuk dihet se sa gjatë do të qëndrojë Mustafa në qendrën e rehabilitimit.
“Ajo çka unë di e që është dëshirë e familjes edhe e miqve është që zt. Mustafa të qëndrojë aq sa mjekët e konsiderojnë të nevojshme qëndrimin. Nuk ka afat të njohur tani për tani”, ka thënë tutje ai.
Ndërkohë nga Qeveria e Kosovës shprehen se janë të gatshëm për ta ndihmuar financiarisht Mustafën për shërim. Por, për këtë çështje nga ekzekutivi i shtetit thonë se familja e Mustafës duhet të bëjë një kërkesë për ndihmë financiare.
“Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës janë të gatshëm që ta ndihmojnë, ne çdo kohë familjen dhe ish-Kryeministrin dhe Liderin e LDK-se ne mjekimin e tij”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë dhënë Expressit.
Megjithëkëtë, sipas burimeve të gazetës, mjekët kosovarë dyshojnë se kryetari i LDK-së është prekur nga sindroma “Guillain-Barré syndrome”. Trajtimi i kësaj sëmundjeje, për njerëzit që nuk kanë aktivitet të fortë fizik, apo për ata të cilët janë më në moshë, është shumë i vështirë dhe sëmundja mund të lërë pasoja.
Sindroma GBS është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik.
E Isa Mustafa, nuk është i vetmi politikan kosovar që po kërkon trajtim shëndetësorë jashtë Kosovës. Një gjë të tillë tashmë është duke e bërë ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi. Atij, Qeveria e Kosovës ia kishte ndarë 90 mijë euro vitin e kaluar. Shërim jashtë Kosovës kishte kërkuar edhe ish-kryeministri tashmë i ndjerë Bajram Rexhepi. Në vitet e fundit, katër politikanë kosovarë që kanë mbajtur pozita të larta institucionale kanë marrë trajtim mjekësor jashtë vendit.