Një prej drejtuesve më të njohur të Kongresit amerikan, ish Senatori Bob Dole, u nderua dje me Medaljen e Artë të Kongresit “për shërbimin ndaj vendit”, në një ceremoni ku republikanët dhe demokratët, i lanë mënjanë përplasjet e forta partiake, për të nderuar një prej ligjvënësve më të shquar, që për dekadat që shërbeu në Kongres u njoh si politikan që luftonte për arritjen e konsensusit.
Si rrallë ndonjëherë kohët e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara, republikanët dhe demokratët, ishin jo vetëm të pranishëm në një ceremoni, por të bashkuar në një zë për të nderuar një nga figurat më me peshë të politikës amerikane moderne. Ish-Senatori Bob Dole u nderua me Medaljen e Artë të Kongresit në një ceremoni ku theksi u vu tek shërbimi, heroizimi dhe udhëheqja e ish-senatorit Bob Dole.
Presidenti Donald Trump e quajti ish-senatorin nga Kansasi, një amerikan të madh që erdhi nga një qytet i vogël dhe u bë ushtar, kongresmen dhe një udhëheqës i admiruar nga të gjithë.
“Kjo është trashëgimia që i lë vendit tonë madhështor dhe do të ekzistojë për një kohë të gjatë pasi të mos jemi më këtu. Je një mik, një patriot, një hero, një udhëheqës dhe sot nderohesh me Medaljen e Artë të Kongresit. Është një nder që jam këtu me ty Bob, faleminderit për shërbimin tënd.”
Zoti Dole ishte një përkrahës i hershëm i Presidentit Trump dhe i vetmi ish-kandidat presidencial republikan që e mbështeti atë.
Medalja iu dha ish-senatorit për shërbimin ndaj vendit si “ushtar, ligjvënës dhe burrë shteti” dhe iu dorëzua nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.
“Bob Dole ka luftuar gjithmonë për ata që kanë luftuar për ne. Ai është mishërimi i njeriut të ndershëm. Është ky lloj heroi amerikan, mbrojtës vetëmohues, i palëkundur i atyre që nuk mbrojnë dot veten, që nuk marrin gjithmonë atë vlerësim që meritojnë”.
“Senator Dole, falë jush Amerika është shumë më mirë. Në emër të Kongresit dhe gjithë amerikanëve ju faleminderit dhe zoti ju bekoftë”, tha ai.
Vetë zoti Dole falenderoi të pranishmit dhe me humorin që e karakterizon dhe që u vu në pah nga të pranishmit, bëri shaka.
“Dua të falenderoj të gjithë folësit që thanë aq fjalë të mira. Ndoshta nuk janë të vërteta por ishin të mirë me mua”, tha ai.
I respektuar nga të dyja palët e politikës
Pat Roberts, senator republikan nga Kansasi, përmendi përçarjen në politikën amerikane dhe tha se disa mund të thonë që nuk ka asnjë temë për të cilën të biem të gjithë dakord. Mesa duket vlerësimi për zotit Dole, nuk ishte një prej tyre. Për të dhënë medaljen, duhet mbështetja e 2 të tretave të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 67 senatorëve.
“Në më pak se dy ditë, kisha siguruar votat e të 100 senatorëve. Nuk kisha nevojë të shkoja t’u kërkoja firmat, ata erdhën tek unë dhe më pyetën nëse mund të nënshkruaja. Duhet të jesh një person shumë i veçantë që ne të 100 të jemi kaq entuziastë dhe mirënjohës, që të bashkoheshim për këtë kauzë bipartizane për këtë vlerësim të veçantë”, tha ai.
Patrick Leahy, Senator demokrat nga Vermonti dhe mik i Senatorit Dole, vlerësoi aftësitë e tij, si udhëheqës bindës, i besueshëm dhe që gjithmonë e mbante fjalën.
“Ai u bë shembull i vendosjes së interesave të vendit, para atyre të partisë”, tha ai.
“Senatori Dole, ka thënë: ‘sfida jonë nuk është që të vëmë në diskutim idealet e Amerikës, ose t’i zëvendësojmë ato, por të arrijmë të jemi në lartësinë e tyre. Le t’i kushtojmë vëmendje këtyre fjalëve kuptimplota. Senatori Bob Dole, për një jetë të tërë që ju keni kaluar duke mbrojtur, çuar përpara dhe mishëruar idealet tona më të çmuara amerikane, ju falënderojmë”, tha kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.