Vëllai i Fadil Makolllit është revoltuar, pasi iu ul dënimi vrasësit të vëllait të tij.
Fidan Makollit, i është ulur dënimi për të dytën herë për akuzën për vrasje të djalit të axhës, Fadil Makollit.
E uljen e dënimit të tij, vëllai i të ndjerit, Ali Makolli e quajti absurd, duke iu referuar djalit të axhës së tij, njëherësh edhe vrasësit të vëllait të tij, si “kriminel”.
“A është kjo drejtësi? Kur një kriminel e vret djalin e axhës e gjykatat tona e dënojnë njëherë 18 vjet, e kthejnë në rigjykim e dënojnë me 15 vjet. Pastaj Apeli ia ul në 13 vjet. Çfarë drejtësie është kjo?”, tha ai për kallxo.com.
Aliu po pretendon se ulja e dënimit ndodhi për shkak të ndikimit.
kallxo.com ka kontaktuar me avokatin e familjes së dëmtuar, Betim Shalën, i cili tha se ende nuk ka bërë ankesë, por se do ta bëjë një të tillë.
“Unë nuk kam parashtruar ende ankesë, pasi që ka ushtruar prokurori i rastit”, tha Shala, duke lënë të hapur opsionin që edhe ky vetë të ushtrojë ankesë.
Por këto akuza i ka refuzuar në tërësi avokati i të akuzuarit, Besnik Jakupi.
I kontaktuar nga kallxo.com, Jakupi tha se nuk qëndrojnë akuzat për ndikim në gjykata.
“Nuk qëndron fakti se dikush nga familjarët e të mbrojturit tim Fidan Makolli të ketë ndikuar në zbutjen e dënimit. Në arsyetimin e aktgjykimit në mënyrë bindëse janë përshkruar rrethanat lehtësuese të cilat kanë ndikuar në zbutjen e dënimit”, tha Jakupi.
Ai shtoi se ky dënim përfundimtar është në përputhje të plotë me peshën e veprës penale dhe përgjegjësinë penale të kryerësit të veprës.
Në dhjetor të vitit të kaluar avokati i të akuzuarit Makolli, Besnik Jakupi, konfirmoi uljen e dënimit për herë të dytë ndaj klientit të tij, nga 15 vjet burgim në 13.
Në mars të vitit 2017 shkalla e parë e kishte dënuar Makollin me 18 vjet burgim.