Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu është shndërruar në figurën kryesore të partisë prej kohës lideri i tyre nuk është në Kosovë. Kështu, Veliu në secilin tubim të LDK’së po mbanë fjalimet qëndrore. A është kjo shenjë se Kryetari i Podujevës po përgatitet të marrë udhëheqjen e partisë së Ibrahim Rugovës.
Mungesa e Isa Mustafës në Kosovë e ka nxjerr në plan të parë Agim Veliun, njërin prej zyrtarëve më të vjetër të LDK’së.
Veliu po merr pjesë në përvjetorët e Partisë duke qenë figura kryesore. Edhe sot në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, Kryetari i Podujevës mbajti fjalimin qendror. Aty, lëshoi akuza në drejtim të koalicionit PDK-AAK, duke thënë se e kanë izoluar Kosovën.
Veliu asnjëherë s’e ka mohuar mundësinë që të bëhet Shef i LDK’së.
Zgjedhjet në këtë parti planifikohen të mbahen vitin e ardhshëm. Por, kanë nisur të përmenden edhe mundësia që të këtë sivjet zgjedhje për Shef të LDK’së.
Në garë përpos Veliut, pritet të jetë edhe Nënkryetari tjetër i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili po ashtu gjithmonë e ka synuar pozitën e Shefit të LDK’së. Në zgjedhjet e fundit partiake kishte thënë se nuk po kandidon pasi s’po donte ta rrëzonte Isa Mustafën qysh ky i fundit e kishte rrëzuar Fatmir Sejdiun nga pozita e Shefit partiak në vitin 2009.
Burime të Express kanë thënë se përpos Veliut e Hazirit në garë për Shef të LDK’së mund të hyjë edhe Kujtim Shala, njëri prej njerëzve kryesor të LDK’së.
Shala aktualisht është Nënkryetar i Parlamentit të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së LDK’së.
Ndërkohë, prej garës për Shef të Partisë është eliminuar Avdullah Hoti, i cili dështoi të nxirrte LDK’në si parti të parë në zgjedhjet e fundit nacionale. Për pozitë udhëheqëse në LDK nuk përmendet as Haki Rugova i cili për pak e humbi garën për Kryetar të Istogut.
Krejt këto zhvillimet kanë ndodhur në kohën kur Kryetari i LDK’së Isa Mustafa ndodhet në Gjermani për shërim për shkak të disa komplikimeve shëndetësore.
Mustafa në zgjedhjet e fundit u largua nga gara për deputet derisa nuk hoqi dorë nga udhëheqja e LDK’së.
Zyrtarisht kanë thënë se ish-Kryeministri shpejt do të kthehet në Kosovë derisa nuk dihet saktë se kur do të kthehet efektivisht në LDK.
LDK e themeluar në dhjetor 1989 ka pasë deri tash tre kryetarë. I pari Ibrahim Rugova i cili ka udhëhequr partinë derisa ka ndërruar jetë. I dyti është Fatmir Sejdiu, i cili është rrëzuar nga pozita partiake pasi ishte larguar nga pozita e Presidentit më 2009.