Nuk ishte e lehtë për mua. I thirra të gjithë kundërshtarët e mi politik në Mitrovicë. Ne i kemi dëgjuar dhe kemi biseduar me ta. Unë jam i kënaqur sepse kam bërë një punë shumë të rëndësishme për bashkimin e popullit tonë në Kosovë dhe ‘Metohi’.
Kështu, ekskluzivisht për “Novosti”, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç përmbledh bisedimet maratonë trembëdhjetëorëshe me serbët në Banjska, Mitrovicë, Graçanicë, Llapnasellë …, transmeton zeri.info.
Në pyetjen se si e keni përjetuar personalisht faktin se disa liderë të opozitës në Beograd dhe në Kosovë ju akuzojnë juve dhe praktikisht SNS-në për vrasjen e Oliver Ivanoviçit, ai u përgjigj:
“Kur dikush ka nevojë që një kryetar shteti ta akuzojë për diçka të tillë, dhe ndërsa këta të njëjtit as që kanë qenë ndonjëherë në Kosovë, dhe as që ndonjëherë e kanë parë dhe takuar Ivanoviçin, më mirë është të heshtim dhe të mos reagojmë ndaj sulmeve të atyre që mendojnë se janë njerëz dhe që nuk duken si qenie njerëzore. Së fundi, kur ndërgjegjja juaj është e pastër, kur ju jeni duke punuar në interes të popullit tuaj, atëherë duhet të përballoni të gjitha këto për të shkuar përpara. I pashë si ata u zemëruan për shkak të bisedave të mia me njerëzit tanë në Kosovë. Kush po më sulmon? Rada Trajkoviç që përfaqëson 0.0001 përqind të serbëve në Kosovë. Shumë të tillë i pëlqejnë kancelaritë e huaja, por kjo është një gjë e kotë kur populli nuk i pëlqen. Ose Dragan Gjilas – një njeri i cili organizon shfaqjen “Teleton” dhe i cili e di se si është bërë gjithnjë më i pasur, kurse populli gjithnjë më i varfër”, theksoi ndër të tjera Vuçiç.