Kush është Milan Radojicic, njeriu që po e lidhin me vrasjen e Ivanoviqit

Emri i një personi është lidhur me shumë ngjarje në veri të Mitrovicës në mediet kosovare e serbe, e madje një gjë e tillë është bërë edhe me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Bëhet fjalë për Milan Radojicic’in, i cili nga disa po ‘djallëzohet’ e nga disa të tjerë në Serbi po bëhet ‘engjëll’, duke thënë se nuk ka asnjë fakt që e lidhë me ngjarjet e dhunshme në veri.

Për të kuptuar kush është Radojicic, ‘bosi i veriut’, lexoni këtë përmbledhje që e sjellë Gazeta Metro.

Milan Radojicic është i afërt i Zvonko Veselinovic, të njohur si ‘baba i urës së Ibrit’. Për Veselinovic’in është raportuar shumë, madje është thënë se ndikimi i tij politik në veri por edhe në Serbi është aq i madh, sa ai kishte vendosur për heqjen ose jo të barrikadës mbi urën e Ibrit.

Me ikjen dhe angazhimin e tij në Beograd, Zvonko i la pushtetin në veri Milan Radojicic’it, që nga disa serbë po quhet si ‘Zoti i veriut’, krejt kjo pasi në tri komunat me shumicë serbe në veri nuk mund të merret asnjë vendim pa e mbështetur bosi i dyshuar i mafisë serbe.

Për Radojicic’in u tha shumë, por vlen të sqarohet se pushteti i tij shtrihet në veri me kontrollin që ushtron ai mbi Listën Serbe. Milan Radojicic dhe disa të afërm të tij, janë parë në fushatën e LS në Leposavic, e për të cilin takim ka raportuar Metro.

Me rritjen e ndikimit politik, Radojicic mori pushtet edhe në terren duke u bërë ‘zot’ i veriut që vështirë kontrollohet nga organet e sigurisë. Por, edhe ai kontroll i vogël, është menaxhuar nga Radojicic’i, pasi shefin e Stacionit Policor në veri, Zeljko Bojic’in, e ka mik të afërt. Kështu, pushteti i Radojicic’it shtrihet edhe mbi Policinë.

Radojicic nisi operacionet e tij që në zgjedhjet për president të Serbisë, ku grupi i tij bleu votat e romëve të Mitrovicës për Aleksandar Vucic’in. Më pas, ai merrte pjesë në çdo aktivitet të Listës Serbe.

Rrahjen e disa policëve kosovarë në veri që kishin shkuar për të sekuestruar disa materiale që po regjistronin popullsinë serbe, u mor vesh i pari nga Radojicic. Kjo pasi, siç raportoi Metro,kishte qenë vetë ai që kishte organizuar sulmin ndaj tyre.

Raportimet për djegien e shumë veturave në veri, përfshi këtu edhe veturën e tashmë të ndjerit Oliver Ivanovic, dyshohet se e bënte vetëm një grup. Ishte ai i Milan’it, i cili me këto akte synonte të frikësonte çdokënd që nuk i përshtatej atij.

Frika që mbillte Radojicic nuk lidhej vetëm me djegie veturash. Ai dyshohet se hedhte edhe granata nëse ishte e nevojshme. Kështu të paktën thonin burime të Metros brenda Policisë së Kosovës në veri, ku e lidhnin Radojicic’in me sulmin me granata ndaj shtëpive të dy serbëve vetëm e vetëm pse ishin bërë pjesë e FSK’së.

Radojicic ishte përfshirë edhe në një sulm ndaj ish-koordinatorit serb për dialog, Borko Stefanovic, në një kafene në veri, e ku kishte marrë pjesë edhe Edita Tahiri.

Në këtë rast nuk kishin ndërhyrë Policia e Kosovës, ani pse ishin vënë në rrezik jetët e disa personave. Mos ndërhyrja e Policisë, ishte bërë pikërisht për shkak të kontrollit që ka Milan’i mbi ta.

Ndërkaq, pushtetin e Radojicic’it e konfirmoi edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili u takua me të para disa muajsh. Për këtë, Haradinaj ishte arsyetuar se ai takohet me përfaqësues që i zgjedhin vetë serbët, dhe nuk mund t’i zgjedhë ai.

Sidoqoftë, Radojicic’in po e lidhin me vrasjen e Oliver Ivanovic’it, pasi në një përgjim të disa politikanëve serbë ai përmendet si urdhërdhënës, ndërkaq shteti serb si organizator.

Për akuzat ndaj këtij të fundit ka folur edhe presidenti serb Aleksandar Vucic, i cili ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi që tregon se Radojicic ka gisht në këtë ngjarje.

Ndërkohë, Milan Radojicic vazhdon të qëndrojë në veri të Kosovës, ku dyshohet se kontrollon biznesin e kontrabandës dhe veturave. Për këtë kishin shkruar edhe mediat serbe më parë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme