Kjo seancë e cila do të mbahet gjatë ditës së nesërme do të jetë vazhdim i asaj të ndërprerë në dhjetor, transmeton lajmi.net.
Kuvendi për ditën e nesërme ka paraparë gjithësej 19 pika të rendit të ditës ku përfshihet shqyrtimi i parë i projektligjit për azil dhe për trajtimin e objekteve pa leje, shqyrtimi i strategjisë për energji në Republikën e Kosovës për vitet 2017-2026, si dhe shqyrtimi I parë I projekt kodit për të mitur.
Pikë e rendit të ditës do të jetë edhe Interpelanca e kryeministrit Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, për ta informuar Kuvendin në lidhje me gjuajtjen me armë nga Dardan Gashi i cili ka pozitën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, kishte mbledhur miq e dashamirë në odën e tij në Banjë të Malishevës për të gostitur ata, pas lirimit nga akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit. Kjo kishte ndodhur diku në fund të nëntorit, vitin e kaluar.
Me sofra të shtruara e me muzikë nga folklori shqiptar, të ftuarit kanë festuar së bashku.
Por siç shpesh në vendin tonë, atmosfera nuk ndizet pa të shtëna armësh. Dhe këta burra, disa prej të cilëve figura të larta në skenën politike, me radhë gjuajnë nga dritarja.
I ulur këmbëkryq në odën e Limajt, Sami Lushtaku nuk e merrte mundin as të ngrihet në këmbë. Ai nxirrte armën dhe shtiente diku jashtë, pa pasur idenë ku mund të bjerë ai plumb.
Pas tij, ngrihet të festojë me armë ish-këshilltari i Fatmir Limajt, Endrit Shala, i cili po ashtu ishte i akuzuar në grupin e MTPT-së dhe i liruar nga akuzat.
Dhe për fund, është ministri i diasporës Dardan Gashi, i cili del në dritare dhe zbraz rafalin. /Lajmi.net/