Skandalet në Institutin për kontabilistë filloi t’i hetojë Drejtoria për polici financiare. Nga kjo drejtori informojnë se sot kanë hyrë në hapësirat e Institutit për kontabilistë, ndërsa hetimin do ta vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Hetimi i policisë financiare përfshin punën materiale-financiare dhe dyshimet se vendimet në këtë Institut janë sjellë nga persona që nuk janë pjesë e tij, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ministria e Financave konfirmoi skandalin në këtë institut në lidhje me shkarkimin e kryetares Lençe Llapazovska, që dje e publikoi ‘Makfaks’. Nga Ministria e Financave thonë se nuk kanë dhënë mendim pozitiv për shkarkimin e drejtores, edhe pse tashmë një muaj ajo nuk është në funksionin e drejtores së këtij instituti. Për zëvendësimin e kryetarit të Këshillit drejtues, që njëkohësisht është edhe drejtor i Institutit për kontabilistë, Këshilli mbikëqyrës, i cili është organi që emëron kryetarin, duhet të pranojë mendim pozitiv nga Ministria e Financave.
“Deri te Ministria e Financave nuk ka arritur kërkesë për mendim pozitiv për shkarkimin e kryetares aktuale të Këshillit drejtues të Institutit për kontabilistë. Për këtë shkak, nuk janë krijuar bazat ligjore për shkarkim të drejtores aktuale dhe zgjedhjen e drejtorit të ri”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Financave.