Gjykata e Tenderëve i jep vërejtje MSH’së për kontratën milionëshe

Ministria e Shëndetësisë ka negociuar me një kompani private një kontratë mbi 1 milion euroshe, duke shpërfillur procedurat e hapura tenderuese. Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka dhënë vërejtje kësaj ministrie. Kompania “Meditech”, që ka fituar nga ky tender, është favorizuar që nga paslufta nga Ministria e Shëndetësisë. Demokracy Plus sjell zhvillimet e sotshme në seancën e mbajtur në OSHP.

OSHP i jep vërejtje Ministrisë së Shëndetësisë për tenderin sekret mbi 1 milion eurosh

Në seancën e së mërkurës, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i njohur ndryshe si gjykata e tenderëve i tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), pasi kjo e fundit që nga paslufta ndjek procedura të negocimit me kompaninë “Meditech”.

Nga ajo kohë, kjo kompani kësaj ministrie i ofron material shpenzues për aparatet e hemodializës.

Kjo lëndë në OSHP kishte ardhur pas ankesës së kompanisë “Liri-Med”. Kjo kompani pretendon se është shkelur Ligji për Prokurimin Publik (LPP). Sipas ankesës së kësaj kompanie, Ministria e Shëndetësisë qëllimisht është vonuar në kryerjen e këtij furnizimi për të mos ndjekur procedurë të hapur të prokurimit. Tenderi i fundit i fituar nga “Meditech”, për të cilin është ankuar “Liri- Med”, kap vlerën 1 milion e 59 mijë e 949 euro.

Sipas dispozitave ligjore, në momentin kur ka ankesë ndaj ndonjë tenderi, procedura pezullohet, por pas kërkesës së ministrisë, paneli shqyrtues kishte vendosur që ta pushojë vendimin për pezullim.

Sipas kryesuesit Blerim Dina, ky vendim ishte marrë pasi bëhej fjalë për furnizim me material shpenzues për aparate që janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve të Kosovës.

“E kemi heq pezullimin pasi ka qenë në pyetje jeta e njerëzve, por tani e tutje përgjegjës do të jeni ju për gjendjet emergjente”, i është drejtuar Dina përfaqësuesit të kësaj ministrie, Berat Marmullakut.

Zyrtari i ministrisë deklaroi se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Jemi duke bërë përpjekje që tani e tutje procedura të jetë e hapur për këtë tender dhe të jetë i ndarë në llote dhe se po mundohemi të mos vihet deri te vonesa, duke shkaktuar kështu nevoja emergjente për furnizim”, ka thënë Marmullaku.

Prezent ishte edhe pronari i kompanisë ankuese “Liri-Med”, Lirim Mustafa, i cili i qëndroi prapa pretendimeve të tij që i kishte paraqitur në ankesën e  ushtruar ndaj MSH-së. Ai tha se  procedura që po ndjek MSH-ja për këtë tender po e dëmton buxhetin e shtetit në vlera të konsiderueshme, kjo për shkak të moslejimit të konkurrencës.

Ai tha se autoritetin kontraktues, në këtë rast MSH-në e kishin njoftuar se përveç “Meditech” ekzistojnë edhe 3 deri ne 4 prodhues tjerë me renome botërore, të cilat kanë mundësi që ta furnizojnë me materialin e njëjtë apo kompatibil. “Ne e kemi njoftuar ministrinë se oferta jonë do të jetë 10 deri në 20 për qind më e lirë sesa e kompanisë që është shpallur fituese”, tha Mustafa.

Sipas Mustafës, gjendja që e paraqet ministria nuk është reale, pasi nevoja emergjente është paraqitur vetëm për dy produkte nga lista esenciale e jo për gjashtë siç thuhet në njoftimin e saj.

Kjo kompani ishte e pakënaqur edhe me konstatimet e ekspertit shqyrtues, Muhamet Kurtishaj, të cilin e kishte caktuar OSHP-ja për ta shqyrtuar lëndën. Sipas Mustafës, në ekspertizë thuhet se ky aktivitet i prokurimit herën e parë ka dështuar edhe pse kanë tenderuar disa operatorë ekonomikë, me ç’gjë i njëjti tha se nuk pajtohet, pasi ky aktivitet është zhvilluar vetëm me kompaninë fituese.

Edhe eksperti Kurtishaj u deklarua para panelit shqyrtues lidhur me konstatimet që i kishte theksuar në raportin e tij, e i cili e arsyetoi vendimin e ministrisë.

“Aktiviteti i prokurimit ka dështuar një herë për shkak të ankesave të operatorëve ekonomikë dhe tani autoriteti kontraktues në situatën që ka ardhur, sipas vlerësimit tim, është detyruar që ta aplikojë këtë lloj procedure, në mënyrë që të bëjë një zgjidhje”, tha Kurtishaj.

Po ashtu, ai shtoi se këto procedura është mirë të shmangen, mirëpo në situata emergjente detyrimisht duhet të zbatohen, pasi edhe ligji e parasheh një gjë të tillë. Në këtë seancë në OSHP, përfaqësuesit e kompanisë fituese nuk morën pjesë për të dhënë vlerësimet e tyre.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme