Si jo rrallë herë, autoritetet e Serbisë vazhdojnë të ankohen se Kosova është mbyllur hermetikisht e nuk po jep informacione në lidhje me hetimet, të gjeturat e deritanishme që qojnë në zbardhjen e vrasjes së politikanit serb në veri të Mitrovicës.
“Nuk ka asnjë informacion nga autoritetet kosovare, as nuk është dorëzuar asnjë dokument”, ka thënë ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviq për RTS-në.
Nga ana tjetër, ministri kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj i dërguan përgjigje zyrtare Serbisë se do të ketë bashkëpunim mes vendeve për rastin ‘Ivanoviq’, i tha lajmi.net se nuk është e vërtetë që Kosova nuk i ka dhënë informacioni Serbisë, pasi do t’i kthehet përgjigje kërkesës së bërë nga shteti serb.
“Prokuroria dhe Policia kanë komuniku përmes Ministrisë se Drejtësisë me Republikën e Serbisë dhe me institucionet atje. Sa i përket çështjes se i si janë nda informatat, normalisht se unë nuk mund t’i ndaj me opinionin publik, sepse ato janë të ndjeshme”, u shpreh Tahiri.
Homologia e tij serbe tha se autoritetet kosovare nuk kanë dërguar asnjë informacion në lidhje me hetimet, ndërsa po kërkojnë informacione. E, Tahiri këtë e mohoi duke thënë se nuk është e vërtetë një gjë e tillë, pasi interesi i të dyja vendeve është zbardhja e rastit.
“Nuk është e vërtetë që ne jemi jo bashkëpunues konform me ndarjen e atyre informatave që kemi dhe çka kemi kërkuar nga ta, sepse interesi jonë dhe i atyre është që të zbardhet rasti dhe dorasit të dalin para drejtësisë”, deklaroi mes tjerash ministri i Drejtësisë.
Tahiri më tutje tha se të dyja vendet kanë dërguar kërkesë për shkëmbim informacionesh, por ende nuk ka përgjigje nga asnjeri vend dhe nuk tregojë kur do t’i kthejnë.
“Të dyja vendet kanë shkëmbyer kërkesa për bashkëpunim, mirëpo nga asnjëra palë nuk ka pasur përgjigje për këto kërkesa”, sqaroi më tutje Tahiri.
Se a ka informacione konkrete që qojnë në zbardhjen e krimit, ministri Tahiri nuk ka dashur të deklarohet duke e kategorizuar si rast tejet të ndejshëm.
“Sa i përket cilat janë informatat që kemi dërguar dhe çka kemi kërkuar nga ta, ato nuk mund t’i ndaj, sepse janë sensitive dhe lidhen me hetimin e ngjarjes”, tha Tahiri, duke shtuar se autoritetet kosovare presin përgjigje pozitive nga Serbia ashtu siç do t’i përgjigjen pozitivisht atyre.
“Po, absolutisht. Ata nuk na kanë dhënë, mirëpo ne po presim sepse janë çështje të ndjeshme, ne po presim me u përgjigj pozitivisht sikurse do t’i përgjigjemi pozitivisht”, tha Tahiri.
Lideri i Iniciativës Qytetare Serbe, Oliver Ivanoviq, u vra më 16 janar në Mitrovicën e veriut./Lajmi.net/