Vidhen 16 pistoleta në një poligon qitjeje: Si ndodhi plaçkitja me maska në Ferizaj

16 pistoleta të kalibrave të ndryshme janë provuar të vidhen gjatë një plaçkitjeje me maska në një poligon qitjeje në afërsi të qendrës së Ferizajt. Policia ka kapur në flagrancë dy të dyshuar, shtetas të Maqedonisë, derisa po i afroheshin veturës së parkuar pak metra larg lokalit, me të cilën ishte planifikuar arratisja nga vendi i ngjarjes. Një tjetër i dyshuar ndodhet në arrati. Plaçkitja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 3 të mëngjesit.
Për dy orë, tre persona të dyshuar kanë vëzhguar objektin, në podrumin e së cilës ndodhet një poligon gjuetie, në qendër të Ferizajt. Rreth orës tre të mëngjesit, pas mesnatës të së enjtes, të tre këta persona të maskuar, me levë dhe mjete tjera kanë hapur me dhunë grilat e hekurta që ndodhen në hyrjen kryesore të poligonit. Me t’u futur brenda, të njëjtit kanë shkuar menjëherë në drejtim të raftit ku ndodheshin të ekspozuara armët e poligonit. 16 prej tyre, pistoleta të ndryshme, plaçkitësit i kanë futur në një çantë të cilën e kishin me vete.

Krejt kjo ngjarje ka ndodhur nën zhurmën e alarmit të sigurisë së objektit, i aktivizuar me të hapur me dhunë derën kryesore të lokalit.

Po ashtu, ngjarja është filmuar edhe nga kamerat e vendosur brenda dhe jashtë objektit. Ato tashmë i ka marrë policia në Ferizaj.

Përmbajtjen e tyre e përshkruan për Express njëri prej drejtuesve të poligonit.

Kur çanta u mbush plotë me armë, të tre të maskuarit me shpejtësi dolën nga lokali. Dy prej tyre kishin hipur në veturën Golf 5, me tabela regjistrimi të Shkupit, dhe ndërkohë që po e prisnin personin e tretë të dyshuar i cili po mblidhte mjetet me të cilat u krye plaçkitja, ata u kapen nga Policia.

Dy të dyshuarit, shtetas maqedonas u arrestuan, ndërsa i treti arriti të ikte. Njëri prej tyre i moshës 18 vjeçare.

“Raportet e para flasin se më 25.1.2018 rreth orës 3:12 minuta, të dyshuarit A. B. 25 vjeçar (m/shqiptar, shtetas i Maqedonisë) dhe S. A. 18 vjeç (m/maqedonas, shtetas i Maqedonisë), duke përdorur mjete të forta, të maskuar, kishin hyrë me dhunë në poligonin e gjuajtjes dhe trajnimit me armë të zjarrta, lokacion i cili gjendet në rrugën “Emin Duraku” në Ferizaj dhe nga aty kishin vjedhur 16 pistoleta të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm”, ka njoftuar Policia e Ferizajt të enjten në mëngjes, për arrestimin e plaçkitësve në flagrancë.

Megjithatë, PK nuk njofton fare për personin e tretë të dyshuar. Megjithatë, Gazetës Express ia ka bërë të ditur atë njëri prej drejtuesve të poligonit, duke u bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë që incizuan krejt vjedhjen në lokalin e tij.

Tutje, Polica në njoftim ka bërë të ditur se te kapja e dy prej tre të dyshuar është bërë falë bashkëpunimit të qytetarëve, të cilët kishin njoftuar Policinë me të vërejtur lëvizjet e dyshimta dhe dëgjuar alarmin e sigurisë se lokalit të vjedhur.

“Armët e vjedhura si dhe automjeti i të dyshuarave janë konfiskuar”, ka njoftuar Policia.
Të njëjtëve, pas intervistimit me urdhër të prokurorit të Shtetit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Prokurori kujdestar, Shukri Jashari, të enjten nuk ka pranuar të takojë në zyrën e tij në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, ekipin e Gazetës Express, të interesuar për rastin. Ai ka dhënë arsyetimin se është i zënë me punë, dhe duhet të presim deri javën tjetër që ai të gjejë kohë.

Megjithatë, Gazeta Express merr vesh nga burime se hetuesia ka përjashtuar mundësinë që të dyshuarit vjedhjen ta kenë kryer për t’u pajisur me armë për ndonjë formacion të rrezikshëm të armatosur. Pista që po hetohet është ajo se vjedhja është kryer me qëllim që armët e njëjta të shiten në tregun e zi, dhe se po ashtu, Express merr vesh se hetimet mund të zgjerohen.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme