Rreziku që Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Skenderaj të shembet dita ditës, për arsye të mos kujdesit nga institucionet përgjegjëse, ka nxitur reagime të shumta.
Për këtë çështje, nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, thonë që është përgjegjës Agjencioni për Memoriale.
Këshilltari i lartë politik i ministrit Kujtim Gashi, Samir Hoxha, ka thënë se nuk do të ndërmarrin asnjë veprim lidhur me Kompleksin Memorial “Adem Jashari” përderisa nuk u kërkohet një gjë e tillë.
“Sa i përket Kompleksit Memorial “ Adem Jashari “ ju konfirmoj se menaxhohet nga Agjencioni për Memorialet dhe aktualisht nuk kemi ndonjë përgjegjësi për aq sa ata nuk drejtohen me kërkesa konkrete”, ka thënë Hoxha në një përgjigje për Periskopin.
Ai thotë që nëse kërkohet intervenimi i MKRS-së për të evituar mundësinë e shembjes, janë të gatshëm të ndërhyjnë.
“Gjithsesi se ka status te mbrojtjes por deri me tani nuk kemi patur ndonjë ndërhyrje konkrete për shkak te Agjensionit. Nëse kërkohet asistenca jone, jemi te gatshëm”, ka deklaruar Hoxha për Periskopin.
E fatin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” e kanë pasur edhe shumë objekte tjera me vlera të larta kulturore të cilat janë shembur, si pasojë e moskujdesit nga institucionet përgjegjëse, madje në disa raste persona fizik i kanë shembur disa objekte në qytetin e Prizrenit, me qëllim të përfitimit material.
E për këta persona, Hoxha, thotë që do të ndëshkohen.
“Sa i përket ndërmarrjes se MKRS- do te vazhdojmë me zbatimin e legjislacionit, me theks te veçantë ne ndëshkimin e personave fizik dhe juridik për çdo dëmtim te vlerave te trashëgimisë kulturore dhe ndërhyrjeve te pa autorizuara nga institucionet kompetente” ka shtuar ai.
Hoxha thotë se si ministri, do t’i kushtojnë kujdes të veçantë Qendrës Historike të Prizrenit.
“Ne vazhdim me programin e investimeve në përputhje me prioritetet si dhe kujdes i veçantë do ti kushtohet miratimit dhe zbatimit te Planit te menaxhimit për Qendrën Historike te Prizrenit” ka përfunduar Hoxha për Periskopin.
Kompleksi Memorial “Adem Jashari” është një nga pikat historike dhe kulturore, që vizitohet më së shumti në Kosovë.