Gjykata vendos për aktakuzën ndaj Ish-gjyqtares Safete Tolaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka vendosur lidhur me aktakuzën që rëndon ndaj ish-gjyqtares Safete Tolaj dhe dy të akuzuarve të tjerë të këtij rasti duke refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës.

Lajmin për refuzimin e kërkesave për hedhje të aktakuzës për KALLXO.com e konfirmoi, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Ferizajt, Albenora Bekteshi.

“Sot më datë 26 janar 2018, kryetari i trupit gjykues ne çështjen penale ndaj te pandehurve F.T , S.T  dhe G.Sh me aktvendim ka refuzuar si te pabazuara kërkesën për hedhje te akuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, kërkesën për kundërshtimin e provave dhe kërkesën për veçimin e procedurës penale”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës në Ferizaj.

Ish-gjyqtarja e Gjyaktës Themelore të Pejës – Dega në Deçan dhe djali i saj ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur në nëntor të vitit të shkuar. I pafajshëm lidhur me këtë rast ishte deklaruar edhe i akuzuari i tretë i këtij rasti, Granit Shehaj.

Avokatët mbrojtës kishin paraqitur kundërshtimet e tyre ndaj provave dhe kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës, ndërsa tani pasi që janë refuzuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj ata kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria Themelore në Pejë rreth 10 muaj pas transmetimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-gjyqtares Safete Tolaj dhe djalit të saj.

Sipas aktakuzës, e pandehura në Gjykatën Themelore në Pejë-Dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin përkatësisht për të pandehurin F.T. keqpërdori autoritetin zyrtar në atë mënyrë që, pasi ajo më 02.01.2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe G.Sh. ishin takuar dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkaloi kompetencat e tij dhe i dha shumën prej 1.900 euro të pandehurit Fisnik Tolaj për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendësoI me masën e dorëzanisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës,  e pandehura Tolaj deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Aktakuza po ashtu përshkruan  se e akuzuara  Safete Tolaj se  deri më 13.01.2017 në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që, i pandehuri F.T. duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.

Safete Tolaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtares ndërsa kjo dorëheqje ishte aprovuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës në nëntor të vitit të shkuar.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme