Familja Grezda nga Gjakova ka 15 vjet që po kërkon kthimin e pronës së sekuestruar dhunshëm nga pushteti serb, para 70 vjetësh.
Petrit Grezda thotë se gjyshi i tij bashkë me vëllanë kishin vendosur të ndërtonin fabrikën e blloqeve në vitin 1901, raporton KTV.
E njëjta u mor me urdhër të Partisë Komuniste Serbe në vitin 1947, në mënyrë arbitrare dhe pa i marrë për bazë 4 ligjet, përmes të cilave pushteti i asaj kohe i konfiskonte pronat.
Grezda thotë se pushteti serb ishte tërë kohën në dijeni për pronën që ua kishte marrë sa që në vitin 1996 u kishte ardhur një propozim nga një avokat serb, i cili u kishte kërkuar 20 mijë marka gjermane që t’ua kthente këtë pronë. Familja atëkohë nuk kishte pranuar, pasi LDK-ja, sipas tij, e kishte urdhëruar që të mos merren parasysh këto oferta.
Lufta e tyre kishte vazhduar edhe pas çlirimit, më 2003, ku ata dorëzuan kërkesën në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, nga ku kishin marrë përgjigje që lënda të dorëzohej në Gjykatën në Gjakovë dhe ku e njëjta, sipas tij, u la pa u shqyrtuar me vite të tëra.
Por, Grezda thotë se procesi u intensifikua tek më 2005 kur nisi procesi i privatizimit të fabrikës së blloqeve dhe për të cilën thotë se janë bërë një numër i madh shkeljesh.
Duke qenë se nuk po arrin të realizojë të drejtën e tij bazuar në dokumentet që i posedon, familja Grezda mezi po pret mundësinë që ta realizojë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Fabrika e Blloqeve IMN në Gjakovë u privatizua me Spin Off Special në valën e 11-të të Privatizimit nga paraardhësja e AKP-së.
E njëjta u shit me çmimin prej mbi 5.6 milionë eurosh.
Sipas të dhënave nga AKP-ja, Fabrika e Blloqeve ishte liruar nga monitorimi dhe kontrolli, pasi ishte konstatuar se blerësi kishte përmbushur zotimet e dhëna.
Zyrtarë të AKP-së i kanë thënë KTV-së se kjo fabrikë nuk është subjekt i ankesave eventuale kreditore ose pronësore dhe të gjitha pretendimet kreditore dhe pronësore kundrejt një Ndërmarrjeje Shoqërore trajtohen gjatë procesit të likuidimit dhe trajtohen nga Autoriteti i Likuidimit të asaj ndërmarrjeje.