Shkruan: Hysamedin Feraj
Rankoviçizmi ka qenë një prej rrymave politike shqiptare në Kosovë, përballë të cilës qëndronin, legalisht “titstët” dhe, ilegalisht, shumë organizata që kërkonin të drejtën e shqiptarëve për ekspozimin zyrtar-publik të flamurit shqiptar, për arsimin shqip, për ngritjen e statusit politik të Kosovës dhe për bashkimin me Shqipërinë. Obesesioni i Enver Hoxhës kundër titistëve i ka shërbyer rankoviçizmit, së paku duke e lënë ta bëj punën nën hije dhe i qetë, a thua se nuk ekziston(te). Mirëpo mbas LDB, rankoviçizmi ka qenë manifestimi më i egër i nacional-shovinizmit serb, madje më i egër se millosheviqizmi, kundër shqiptarëve.
Sot, rankoviçizmi është ringjallur nën emërtimin “kosovaristët”. Si atëherë edhe tani, rankoviçistët kërkojnë ndalimin e përdorimit zyrtar-publik të flamurit shqiptar (jo vetëm ndryshimin e tij, siç bëri Millosheviqi duke e zhvendosur yllin anash që ta dallonte nga flamuri zyrtar i Shqipërisë). Si atëherë edhe tani kërkojnë të mbajnë të ndarë të kombin shqiptar, asimlimin e shqiptarëve në një komb tjetër dhe linçimin e atyre organizatave dhe individëve që kërkojnë bashkimin me Shqipërinë. Si atëherë edhe tani rankoviçistët e vënë shtetin kundër kombit. Si atëherë dhe tani rankoviçistët vënë shqiptarë në krye të fushatës antishqiptare, kësaj here Vokrrin e Bunjakun kundër flamurit dhe bashkimit të kombëtares së futbollit.
Ringjallja e rankoviçistëve në Kosovë e ka rreshtuar shtetin e Kosovës krah Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë në politikën e kufizimit dhe ndalimit të përdorimit zyrtar-publik të flamurit shqiptar nga shqiptarët. Dhe i ka kthyer shqiptarët e Kosovës edhe një herë te kërkesa për të drejtën e përdorimit zyrtar-publik të flamurit shqiptar, krah kërkesës së njëjtë të shqiptarëve në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoni. I ka thyer shqiptarët në situatën që të kërkojnë të drejtat elementare kombëtare përballë “kosovaristëve” (lexo: rankoviçistëve të Kosovës) që, në vijim të praktikave rankoviçiste në Kosovë, po i kundërvënë shtetin kombit shqiptar. Por, shpresoj, edhe “kosovaristët” do të dështojnë përballë shqiptarëve ashtu si frymëzuesi i tyre Aleksandar Rankoviç dikur.
Suksese përfaqësuese së Kosovës!