Shkruan: Argtim Saliu
Në saje të ndryshimeve dhe plotësimeve të fundit në Ligjin për nëpunës administrativë dhe në Ligjin për nëpunës publikë, Qeveria e Maqedonisë edhe një herë tregoi mos gatishmërinë e saj për të filluar reformimin e vërtetë të Administratës.
Në fakt, të gjitha elitat politike që kanë qeverisur në këto njëzetepesë vitet e fundit kanë grumbulluar një numër të madh nëpunësish në të dy nivelet e pushtetit, te ai qendror dhe lokal dhe, deri më tani, asnjë Qeveri në RM nuk ka pasur ndonjëherë guximin e vërtetë dhe të fuqishëm për të bërë një reformë të thellë në administratën publike dhe shtetërore.
Ky problem gjithsesi që duhet të zgjidhet. Është mbase hallka e fundit e kërkesave të BE-së para të cilës RM-ja do të përkulet dhimbshëm. Jo njëherë instanca të ndryshme të BE-së kanë sinjalizuar që administratës sonë i duhet një reformë e thellë, jo vetëm në sferën e legjislacionit të vendit por, mbi të gjitha, në reduktim të numrit tepër të madh të administratorëve.
Fatkeqësisht, administrata është shndërruar si në strumbullar të aktivistëve partiakë. Kjo sjellje e ka degraduar profesionalizmin si dhe efikasitetin që duhet ta ketë një shtet demokratik dhe aspirues për t’u integruar në strukturat euro-atlantike.
Kujtojmë se ky numër kaq i madh i punonjësve administrativë, e që sipas disa të dhënave është mbi 180 mijë, së bashku me pensionet dhe asistencat sociale shpenzon diku një të pestën e buxhetit vjetor të shtetit. Arsye të veçanta për vonimin e reformave nuk ka! Vetë fakti se deri ku ka arritur numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin publik, tregon se çdo Qeveri ka bërë sigurimin e votave nëpërmjet punësimeve në administratë, prandaj reformimi i administratës është proces i ndërlikuar dhe i vështirë, kurse elitat politike e kanë shumë frikë që t’i qasen seriozisht këtij problemi.
Asnjë garniturë politike që qeverisë me vendin nuk dëshiron që t’i humbasë zgjedhjet dhe për të qëndruar sa më gjatë në pushtet nevojiten mjete dhe forma. Andaj, në shkencat politike është e njohur thënia se qëllimi i arsyeton mjetet. Derisa Qeveria do të arrijë të sigurojë mjete financiare, gjithnjë do ta kemi administratën e mbingarkuar dhe, për më keq, amatore.
Ligji aktual për nëpunësit administrativë dhe publikë përmban edhe anë pozitive, por ka edhe mangësi. Sidoqoftë, përkundër të gjitha të mirave dhe të metave të nënvizuara, është dashur që nëpërmjet këtij ligji administrata dhe institucionet e vendit të fillojnë të përgatiten për reforma. Kujtojmë se për të bërë reforma, njëherë duhet të hartohen planet afatmesëm dhe afatgjatë dhe se për këtë duhet që paraprakisht të bëhen parapërgatitjet e administratës publike për reformat që do të ndërmerren.
Natyrisht, një nga institucionet apo organet më kompetentë për ta ndërmarrë këtë nismë kaq të domosdoshme për një shtet që pretendon standarde të shteteve me një demokraci të lakmueshme, është institucioni i Akademisë për Administratë Publike, i cili haset në të gjitha shtetet e transicionit, por edhe te ata me demokraci të konsoliduar. Edhe në Maqedoni tash e sa kohë rrahet ideja e themelimit të një akademie të tillë.
Ideja për të themeluar një Akademi për Administratën Publike buron nga nevoja për të pasur një administratë efikase dhe moderne, një administratë profesionale që ju përgjigjet nevojave të kohës,larg ndikimit dhe trysnive politike nga pushteti.
Kuvendi i RM-së nëpërmjet një ligji të veçantë duhet ta themelojë Akademinë, si një institucion i pavarur nga pushteti ekzekutiv që do të merret me trajnimin e nëpunësve administrativ dhe njëkohësisht të merret me hulumtime dhe analiza të administrimit të shtetit dhe politikave publike. Kjo Akademi, pa fije dyshimi, është një nga nevojat më imediate të vendit.
Për më tepër nëpërmjet themelimit të Akademisë, institucioneve të shtetit ju lehtësohet metoda dhe procedura e punësimit dhe avancimit të nëpunësve administrativë. Për themelimin e një Akademie të tille kemi përvoja të brendshme por edhe të jashtme, por që ndryshojnë vetëm për sa i përket emërtimeve të tyre. Në Maqedoni ekzistojnë disa akademi, si p.sh.: Akademia Diplomatike që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Akademia për trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, Akademia për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme.
Në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar, kemi: Instituti i Kosovës për Administratë Publike, Instituti i trajnimit të Administratës Publike – Shqipëri, ndërsa një ndër institutet apo akademitë më të njohura dhe me renome botërore është ÈNA nga Franca (Ècole Nationale D’administration- www.ena.fr).
Njëherë e përgjithmonë duhet të marrë fund punësimi sipas sistemit të vendeve të punës dhe të aplikohet rreptësisht sistemi i karrierës dhe meritokracisë. E, kjo do të thotë se më nuk do të bëhen punësime në baza partiake, por vetëm atëherë kur shfaqet nevoja për punonjës të ri. Atëherë, nëpërmjet hapjes së konkursit, testimit dhe intervistës, do të arrihet rekrutimi i nëpunësve efikasë konform standardeve të Hapësirës Administrative Evropiane që burojnë nga kriteret e Komisionit Evropian.
Për këtë qëllim është më se e nevojshme themelimi i Akademisë për nëpunësit e administratës publike dhe shtetërore, e cila do të ketë rol të rëndësishëm gjatë të gjitha punësimeve, avancimeve dhe profesionalizimit të sistemit administrative të vendit.
Nëse për gjyqtarët, prokurorët dhe diplomatët është krijuar akademia, atëherë pse mos të krijohet për administratën publike që aktualisht numëron mbi 180 mijë nëpunës, barrë kjo për një shtet dhe një shoqëri shumë të brishtë siç është kjo e jona!