Policia e Kosovës ka ashpërsuar zbatimin e rregullave dhe toleranca ndaj atyre që shkelin rregullat tashmë është zero. Kështu ka thënë Haxhi Krasniqi, major i Policisë së Kosovës.
Krasniqi ka treguar se me të hyrë në vitin 2018, numri i aksidenteve nuk ka qenë aq i madh.
Ai ka thënë në KTV se për gjobat të cilat janë shqiptuar në rrugë, e të cilat duhej proceduar në Gjykatë, tani kjo gjë është lehtësuar sipas tij dhe mund të bëhet aty për aty.
“Tani ka më shumë përparësi. Në të kaluarën është dashur të shkohet në Gjykatë e ka marrë më shumë kohë, ndërsa tani bëhet aty për aty”, tha ai.
Ka thënë se gjobat mbi 500 euro, duhet paguar brenda 15 ditëve çka edhe u ofron të dënuarve të paguajnë vetëm 50 për qind të saj.
Tha se mund të bëjnë edhe ankesën dhe brenda 30 ditëve do të merret vendimi. Por, në rast se gjoba nuk paguhet brenda këtyre ditëve, atëherë më vonë nuk do të kenë mundësi për zbritjen e 50 për qindëshit.
Tutje Krasniqi ka treguar se pas Vitit të Ri, ka pasur shumë ankesa për shkak të mungesës së informacioneve, por se ky vit, nuk ka shënuar ngritje të gjobave.
Ka treguar se tejkalimi në vijë të plotë, mosrespektimi i dritës së kuqe e disa tjera, janë shkelje të rregullave të cilat mund të pasojnë edhe me marrjen e patentë shoferit për një kohë të caktuar.
Ndërsa mosrespektimi i dritës së kuqe do të ketë 150 euro, dënim.
Ai ka treguar se kundërvajtje ka më së shumti në Prishtinë dhe në rrethinë, ku edhe numri i gjobave është më i lartë,
Gjobat më të larta arrijnë deri në 500 euro.
Ai ka treguar se numri i policëve është shtuar në komunikacion, madje edhe të atyre në rroba civile.
“Jemi të interesuar të jemi pjesëmarrës në komunikacion dhe të shpëtojmë sa më shumë jetë të qytetarëve tanë”, përfundoi ai.