Deklarata se dokumenti juridik detyrues, të cilin duhet ta nënshkruaj Serbia para se të anëtarësohet në BE, nuk vetëkupton njohjen e Kosovës, ka hedhur dritë në këtë çështje, shkruan sot B92, transmeton Koha.net.
Konstatimi i presidentit të Parlamentit Europian, Antonio Tajani, ndërkaq as për së afërmi nuk i ka hequr dilemat që lidhen me atë dokument. E ato nuk janë pak, theksojnë në Beograd, ndër të tjera edhe se çfarë do të rregullohet me atë dokument në marrëdhëniet midis Beogradit e Prishtinës.
Profesoresha e të drejtës ndërkombëtare në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Vesna Gjorgjeviq Prediq, i ka thënë Tanjugut se sipas deklaratave të presidentit të Parlamentit Europian dhe të zyrtarëve serbë del se nga Beogradi e Prishtina kërkohet të arrijnë zgjidhje që do të garantonin marrëdhënie stabile midis tyre dhe që do të ndikojnë në stabilitetin e rajonit. Ndër dokumentet detyruese ajo ka përmendur edhe marrëveshjen ndërkombëtare.
ëse rënia në ujdi do të jetë në formë të marrëveshjes, kjo nuk do të thotë se është e domosdoshme njoha e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, ka sqaruar ajo aspektin juridik të çështjes. Po sipas saj, e drejta ndërkombëtare njeh marrëveshje midis vendeve sovrane dhe atyre që nuk e kanë këtë status, si rasti i marrëveshjes BE me Hong Kongun, që nuk paragjykon njohjen e Hong Kongut si shtet, transmeton Koha.net.
“BE, për shembull, ka lidhur Marrëveshjenpër Stabilizim – Asociim me Kosovën. Por neni 2 i kësaj marrëveshje thotë se kjo marrëveshje në asnjë mënyrë nuk do të thotë njohje e Kosovës si shtet sovran… “ citon Tanjugu profesoreshen Gjorgjeviq Prediq, transmeton Koha.net.
Por, ish-diplomati i kohës së Millosheviqit, Vlladisllav Jovanoviq nuk i beson Tajanit dhe konsideron se Perëndimi synon që Kosova të marrë këmbë drejt BE-së e OKB-së.
“Prandaj i thonë Serbisë se nuk është e domosdoshme që formalisht ta njohë Kosovë”, thotë Jovanoviq. “Mjafton të mos bëjmë probleme e pengesa në ecjen e Kosovës drejt Brukselit e Nju-Jorkut, kështu që vetë njohja as që ka rëndësi, nëse e lejojmë që Kosova të zbarkojë në portet që dëshiron”, ka shtuar ai.
© KOHA.