Lëvizja “Zavetnici” (Betimtarët) kanë mbajtur një protestë para Shtëpisë së të Drejtave të Njeriut në qendër të Beogradit, ndërsa nga Iniciativa Qytetare theksohet se bëhet fjalë për “Protestë kundër OJQ-ve”, raporton B92.
“Ndonëse ishte ftuar, policia nuk u shfaq në vendin ku po zhvillohej protesta. Shënjestrimi i atyre që mendojnë ndryshe po vazhdon në atmosferën e mosndëshkimit që e ka krijuar Qeveria”, theksohet përmes Twiter-it.
“U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të reagojnë me shpejtësi ndaj shënjestrimeve të atyre që mendojnë ndryshe dhe të qëndrojnë në mbrojtje të lirisë së shprehjes si një e drejtë themelore njerëzore”, theksojnë ata, transmeton Koha.net.
Në fotografitë nga protesta të publikuara në rrjetet sociale shihen pllakata në të cilat janë vendosur fotot e kryetares së Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e nën të cilat shkruan “Çmimi Nobel për tradhti të popullit serb”.
“Do ta ndjekim Natasha Kandiqin, Sonja Biserkon dhe OJQ-të antiserbe nga hapësira afariste e qytetit”, theksojnë “Betimtarët” në faqen e tyre në Facebook.
Të rikujtojmë se Natasha Kandiq dhe Fondi për të Drejtën Humanitare janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa propozimin e kanë bërë kryesuesi i Komisionit amerikan të Helsinkit, senatori amerikan nga Misisipi Roger Wicker dhe anëtari demokrat i Këshillit për Marrëdhënie Politike me Jashtë i Dhomës Përfaqësuese, kongresisti Eliot Engel.
Shtëpia e të Drejtave të Njeriut dhe e Demokracisë, është rrjet i organizatave të shoqërisë civile që janë bërë bashkë, siç theksohet, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe aktiviteteve të përbashkëta për të ndikuar në gjendjen e fushës së të drejtave të njeriut.
Shtëpia ekziston nga nëntori i vitit 2011, ndërsa themelues të organizatës janë Nismat Qytetare, Qendra për të Drejtat e Njeriut e Beogradit, Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut, Këshilli i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra për Politikë Praktike.
Lëvizja “Betimtarët” do të marrë pjesë në zgjedhjet e Beogradit që mbahen më 4 mars.