Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas takimit me përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me ministrin e Drejtësisë si dhe me përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka krijuar kushte më të mira për Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial dhe se është duke u plotësuar numri i gjyqtarëve të nevojshëm për trajtimin e lëndëve.
Kancer të shoqërisë e ka cilësuar krimin dhe korrupsionin në Kosovës, kreu i Kuvendit të Kosovës e i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“Ne i kemi krijuar disa kushte më të mira për Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, ata janë ballafaquar me probleme qoftë edhe në çështjet teknike, është duke u plotësuar numri i prokurorëve, po punojmë që situata në Gjykatën Themelore të Prishtinës të barazohet me Gjykatat të qyteteve të tjera, sepse është mungesë e kushteve. Ministri i Drejtësisë është duke bërë një punë të madhe në këtë aspekt”, tha Veseli, raporton lajmi.net.
Kryetari i Kuvendit shtoi se tanimë trajtimi i lëndëve është duke u bërë në një mënyrë shumë më efikase, duke përmendur edhe iniciativën e Vetingut në Kosovë, që sipas tij do të mbahet dhe do të qartësojë se kush po pasurohet me djersë e kush në kurriz të të tjerëve, raporton lajmi.net.
“Është një situatë shumë më e mirë në aspektin e trajtimit të lëndëve, për 44 përqind është rritur trajtimi i lëndëve, në të njëjtën kohë edhe Këshilli Gjyqësor ka arritur sukses në këtë fushë. Gjithashtu iniciativa e Vetingut do të ecë përpara, që ju ta dini që kush po pasurohet me djersë e kush në kurriz të tjerëve. Gjykatat duhet ta ruajnë pavarësinë e tyre, ato u japin përgjegjësi vetëm qytetarëve të Kosovës dhe Kuvendit”, ka përfunduar Veseli./Sakte.net/