Shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka konfirmuar edhe një herë se do të rrëzohet demarkacioni në Parlament. Me këtë e ka konfirmuar edhe pamundësinë e liberalizimit të vizave për kosovarët. Megjithëse, Kryetari i AAK’së kohëve të fundit, pasi ndryshoi qëndrim për Gjykatën Speciale, ka nisur të marrë viza. Së fundmi, u pajis me vizë britanike.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha sot se versioni i marrëveshjes së demarkacionit nuk mund të kalojë në Kuvend.
Teksa doli në një konferencë me familjarë të heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, Kryeministri Ramush Haradinaj foli edh për demarkacionin.
Haradinaj tregoi edhe njëherë se për marrëveshjen e demarkaciont me Malin e Zi të nënshkruar në gusht të vitit 2015, deputetët e Kuvendit janë të ndarë.
“Gjendja s’ka ndryshue. Diçka të re nuk ka për shkak se jemi të ndarë në parlament. Versioni i tashëm nuk e ka shumicën, megjithatë kjo nuk e pengon kryesinë me procedu ma tutje”, tha Haradinaj.
Ai konstatoi se duhet gjetur një zgjidhje për demarkacionin që nuk e dëmton Kosovën.
“Derisa nuk është në seancë plenare duhet të punojmë për një zgjidhje, mirëpo një zgjidhje që e ruan substancën, që e ruan të drejtën e Kosovës”, tha Haradinaj.
Të martën Kosovën do ta vizitojë kryeministri i Malit të Zi.
Para se të fliste për demarkacionin, Haradinaj familjarëve të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut e Edmond Hoxhës u dhuroi një flamur kuqezi, ndërsa i përgëzoi për emërtimin e Rrugës Prishtinë-Mitrovicë me emrat e heronjve.