Nuk vihet në pyetje se Gjermania është përgjegjësja e vetme për Holokaustin, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, pas reagimeve me të cilat po përballet Polonia fqinje për legjislacionin e saj kontradiktor për Holokaustin.
“Nuk ekziston as dyshimi më i vogël për atë se kush ka qenë përgjegjës për kampet e përqendrimit, kush ka vepruar aty dhe ka vrarë miliona hebrenj evropianë, ata janë gjermanët”, ka thënë Gabrial, sipas ministrisë së Jashtme të këtij vendi, shkruan rel.
“Këto vrasje masive të organizuara, janë kryer nga shteti jonë dhe askush tjetër”, ka thënë ai.
Senati polak ka miratuar më 1 shkurt amendamentet legjislative për të rregulluar fjalorin lidhur me Holokaustin dhe krime të tjera të periudhës naziste.
Ky projekligj duhet të nënshkruhet nga presidenti, Andrzej Duda, i cili ka paralajmëruar mbështetje.
Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Ukraina dhe shtete tjera kanë kritikuar ashpër këtë projektligj, sipas së cilit çdokush që akuzon Poloninë apo qytetarët e saj për bashkëpunim në krimet naziste, mund të ndëshkohet me burgim deri në tri vjet.
Kritikët kanë thënë se kjo mund t’i lejojë qeverisë të kundërshtojë raste në të cilat bashkëpunimi i polakëve kanë qenë i vërtetur dhe kjo do të frenonte fjalën e lirë apo studimet që janë të lidhura me Holokaustin.
Polakët kanë luftuar me vite kundër përdorimit të frazës “Kampet polake të vdekjes”, pasi konsiderohet se Polonia ka qenë më së paku përgjegjëse për vdekjet e personave aty.
Këto kampe janë ndërtuar nga nazistët kur kanë marrë kontrollin mbi Poloninë më 1939.