“Titanik”, “Torturë”, “TNT”, “Transportuesi”, “Fortesa” (Tvrdina) dhe “Thesari”, të gjitha rastet që deri më tani i ka iniciuar Prokuroria Speciale, në emërtimet origjinale në gjuhën maqedonase fillojnë me shkronjën T.
Në opinion shpesh shtrohet pyetja se çfarë simbolike përcjell kjo shkronjë.
Sigurisht pasi edhe shumë raste të tjera do të nisen me këtë shkronjë dhe nëse zbulohet do të prishte mozaikun e tyre.
Emërimi i të gjitha rasteve të deritanishme të PSP-së me shkronjën “T” është shkas që në opinion ka filluar të parashtrohet pyetja mos ndoshta afera “Telekom” do të jetë rasti i shtatë (ose edhe rasti i tetë) të cilin do ta hapë Prokuroria Speciale.
Ish drejtori i DSK-së Bogoevski, në dëshminë e dhënë para Gjykatës së Nju Jorkut ka thënë se në këtë aferë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, Musa Xhaferi dhe ish kryeministri Vllado Bu;kovski kanë marrë miliona dollarë për të vazhduar monopolin e kompanisë Telekom, në tregun e telefonisë në Maqedoni, shkruan Gazeta Lajm.
Prokuroria Publike që udhëhiqet nga Marko Zvërlevski, e që qëndron pas akuzave ndaj të dënuarëve në rastin Monstra, ndaj Grupit të Kumanovës dhe ndaj shumë shqiptarëve tjerë, rastin Telekom e ruan me “xhelozi” të theksuar, duke refuzuar që t’ia japë këtë rast Prokurorisë Speciale.
Rasti “Titanik” ishte shkëndija e parë e kësaj prokurorie. Në të si persona të dyshimtë për manipulime zgjedhore dolën, Ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, Ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakievski, kryetari i Liqenasit të Shqipërisë Edmond Temellko, kryetari i Këshillit zgjedhor të Çairit Ismet Gurri, sekretari i përgjithshëm i qeverisë Kirill Bozhinovski dhe dy anëtarë të komisioneve lokale zgjedhore.
Rasti tjetër i publikuar kishte të bëjë me torturën gjatë arrestimit të ish ministrit të punëve të brendshme Lube Boshkovski. Sipas Prokurorisë Speciale, torturimin e ka urdhëruar ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov dhe e ka ekzekutuar ish shefi i njësitit “Allfa” Ivica Antevski(Puki) së bashku me gjashtë “Allfa” të tjerë që janë në listën e të dyshuarve për torturim.
Më pas vijoi denoncimi i rrënimit të paligjshëm të objektit afarist “Kosmos” me vlerë prej 15 milion euro që sipas Speciales është rrënuar për qëllime hakmarrjeje me urdhër të ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Këtë urdhër e ka përcjellur ish ministri i transportit Mile Janakievski deri tek kryetari i Gazi Babës Toni Trajkovski. Vendimin final për rrënim e ka nënshkruar Elizabeta Najdovska, inspektore e ndërtimit në këtë komunë edhe pse objekti i ka respektuar të gjitha normat e parashkruara me ligj.
Rasti “Transportuesi” nxori në pah akuzat për keqpërdorimet e parave të destinuara për transportimin e nxënësve në komunën e Manastirit. Sipas asaj që publikoi Specialja, kreu i Manastirit Vlladimir Talevski së bashku me21 drejtor shkollash fillore dhe të mesme dhe pronar firmash transportuese ka manipuluar me fryrjen e çmimeve, duke përvetësuar 360 mijë euro.
Një prej rasteve me të cilat specialja vazhdon të ketë më së shumti probleme me gjykatën sa i përket masave të kujdesit është “Fortesa”, e cila zbuloi dyshime për përgjim të paligjshëm të DSK-së në krye me ish ministren e brendshme Gordana Jankullovska. Por kryefjala ishte tek shkatërrimi i kësaj pajisje për përgjim në mënyrë që të fshihen gjurmët. Sipas Prokurorisë Specialem MPB-ja ka përgjuar në mënyrë të paligjshme dhe në vitin 2015 ka shkatërruar dy sistemet e përgjimit për të mbuluar gjurmët e veprimeve, me arsyetimin se sistemet janë vjetruar. Përveç ish shefit të drejtorisë së pesë të DSK-së Goran Grujovski i cili është i dyshuari kryesor, dhe ish ministres së brendshme Gordana Jankullovska, në listën e të dyshuarve janë edhe tre punonjës të kësaj drejtorie.
Rasti i fundit dhe i pari për krim ekonomik ishte “Thesari” ku u zbuluan keqpërdorimet e parave të buxhetit që i ka Ministria e Punëve të Brendshme në dispozicion për blerje të pajisjeve të nevojshme teknike dhe për mirëmbajtjen e tyre. Në listën e të dyshuarve është përsëri ish shefi i drejtorisë së pestë të DSK-së Goran Grujovski, ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov dhe ish shefi i kabinetit të tij Toni Jakimovski, si dhe ish ndihmës ministri i MPB-së Nebojsha Stajkoviq. Ata dyshohen për keqpërdorim të 860 mijë eurove pasi në vend se MPB-ja të blejë pajisjet e nevojshme nga një firmë norvegjeze, tenderi është zhvilluar nëpërmjet një pale të tretë që është kompania “Finzi” nga Maqedonia në krye të së cilës ishte i ndjeri Kosta Krpaç. “Finzi” ia ka shitur pajisjet e blera nga Britania MPB-së për shuma shumë më të mëdha se ato reale.
Deri tani janë ngritur vetëm dy aktakuza edhe atë në përvjetorin e parë të këtij institucioni. Njëra për sulmin e komunës Qendër ku përfshihet edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski, dhe njëra për shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit në DSK. Priten edhe shumë raste të tjera të krimit të korrupsionit shtetëror./Telegra