Kosova në vazhdimësi kishte Qeveri me më shumë ministri sesa që i nevojiten ekzekutivit të një vendi të vogël, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas tyre, numri i madh i ministrive dhe stafit qeveritar, krijon shpenzime të panevojshme buxhetore.
Andaj, ata u sugjerojnë subjekteve politike të cilat do ta formojnë Qeverinë e re në bazë të rezultateve nga zgjedhjet e 11 qershorit, që të zvogëlohet numri i ministrive dhe stafit qeveritar.
Qeveria e madhe, nënvizojnë ata, do të ishte barrë për buxhetin e Kosovës, si një vend me buxhet edhe ashtu të varfër.
Kabineti i Qeverisë në largim, përbëhet nga kryeministri, tre zëvendëskryeministra, 20 ministri, përfshirë këtu dy ministra pa portofol dhe rreth 50 zëvendësministra.
Secila nga ministritë ka 2, eventualisht 3 zëvendësministra.
Visar Rushiti, analist i politikave në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, tha se krijimi i ministrive, emërimi i ministrave dhe zëvendësministrave është kryekëput çështje e marrëveshjeve të partive politike rreth koalicionit qeveritar dhe nuk bazohet në ligj apo në aprovim të numrit të dikastereve qeveritare nga Kuvendi.
Sipas një analize të këtij Instituti, Qeveria e Kosovës mund të funksionojë vetëm me 13 ministri.
“Partitë politike që do të përfaqësohen në Kuvend dhe do të krijojnë Qeverinë e re, do duhej të bënin një program dhe do duhej të bënin një sistemim të personave në ministri vetëm për një numër prej 12 ministrive dhe nuk duhet që çdo ministri të ketë nga dy zëvendësministra”, tha Rushiti për Radion Evropa e Lirë.
Edhe përfaqësues të Lëvizjes “Fol”, konsiderojnë se numri i ministrive dhe zëvendësministrave është në disproporcion të madh me numrin e banorëve, respektivisht me nevojat e popullatës.
Jeton Zulfaj, menaxher i programeve në këtë Lëvizje, thotë se vullneti për nga përbërja e ardhshme qeverisëse duhet të fillojë nga zvogëlimi i kabinetit qeveritar.
“Në Kosovë është krijuar traditë, që është akomodim i njerëzve në pozita të larta. Tash e sa vite në secilin mandat, sa më i madh të jetë koalicioni qeverisës, aq më e madhe bëhet Qeveria për të akomoduar secilin ortak apo partner në Qeveri”, shprehet Zulfaj për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria, sipas shoqërisë civile, duhet të krijojë një mekanizëm i cili do të rishikojë arsyeshmërinë e funksionalitetit të ministrive dhe zëvendësministrave.
Visar Rushiti, thotë se akomodimet e tilla politike nuk janë funksionale dhe janë të kushtueshme për buxhetin.
“Në bazë të analizave që kemi bërë vetëm nga kabinetet, nëse nuk ekzistojnë 19 ministri, por 13 ministri, vetëm nga pjesa politike e këtyre gjashtë ministrive kursehen 3.6 milionë euro”, thotë Rashiti.
Formimi i një Qeverie të mbingarkuar, të panevojshme dhe me paga të larta për zyrtarët, thotë në anën tjetër Jeton Zulfaj, tregon se nuk është prioritet efikasiteti dhe kursimi i parasë publike.
“Deri më tash, kemi parë se të gjithë kanë synuar që të rehatojnë njerëzit e tyre të cilët në forma të ndryshme kanë sjell vota për subjektet politike”, thotë Zulfaj.
Numri i madh i institucioneve të administratës publike dhe të punësuarave në të, vazhdimisht është kritikuar edhe nga institucionet ndërkombëtare.