Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e ftuar në emisionin “Kjo javë” nga Nisida Tufa në News24, ka folur mbi zhvillimet rreth turizmit në vend, por edhe planet për të ardhmen në këtë sektor.
Kumbaro u shpreh se Shqipëria i ka kaluar pritshmëritë e saj pas pandemisë, teksa shpjegoi se numërimi i turistëve bëhet duke marrë në konsideratë pasaportat e huaja që hyjnë në vend.
“Numërimi bëhet me hyrje të pasaportave të huaja që vijnë në Shqipëri. Pasaporta e huaj tregon që personi nuk është rezident. Këtu nuk llogariten shtetasit shqiptarë dhe emigrantët që vijnë me pasaportë shqiptare. Sistemi TIMS na i jep hyrjet në mënyrë të saktë. Çdo person që vjen të kalojë më shumë se një ditë në një vend dhe që nuk është rezident quhet turist”, tha ajo.
Kumbaro foli edhe për çmimet në sektorin e turizmit duke thënë se Shqipëria ofron çmime më të ulëta për shkak se është një treg i ri, por theksoi se ashtu si vende të tjera, me kalimin e kohës në këtë industri do të ketë edhe një rritje të çmimeve.
“Shqipëria është e lirë sepse është një treg i ri. Megjithatë ne nuk kemi promovuar çmimet e ulëta, por kemi promovuar se në Shqipëri mund t’i gjejnë të gjitha. Ne e shohim Shqipërinë si një plotësues ne hartën e Mesdheut. Ne nuk mund të jemi në garë me gjigantët që kanë 60 vjet në këtë industri. Dhe kur ke kaq shumë vjet në industri ka edhe rritje të çmimeve dhe kjo do të ndodhë edhe me Shqipërinë”, tha ministrja.