A do të thellohet debati institucional me qeverinë dhe Kuvendin? KLGJ vendos rritjen e pagave të gjyqtarëve me 65.600 lekë, zbardhet vendimi

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur rritjen e pagës referuese të gjyqtarëve në Shqipëri me 65.600 lekë, në një vendim që pritet të hapë një tjetër debat institucional me qeverinë dhe Kuvendin.

Vendimi u mor këtë të mërkurë me 9 vota pro dhe asnjë kundër, ndërsa efektet financiare nisin nga 1 gushti 2026. Sipas vendimit, paga referuese e gjyqtarëve rritet nga 156.800 lekë në 222.425 lekë, ndërsa kësaj shume i shtohet edhe shtesa për nivelin e kualifikimit prej 14.000 lekësh.

KLGJ ka miratuar gjithashtu propozimin për kompensimin e diferencës së pagave për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.

Vendimi pas përplasjes për ligjin e pagave

Ndërhyrja e KLGJ-së vjen në një periudhë përplasjesh institucionale lidhur me mënyrën e përcaktimit të pagave të magjistratëve. Në shkurt të vitit 2026, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ndryshimet ligjore të vitit 2023, të cilat përcaktonin pagën e magjistratit në masën 0.36% të pagës së Presidentit të Republikës. Sipas arsyetimit të Kushtetueses, ndryshimi kishte sjellë një ulje të fshehtë të pagave.

 

KLGJ argumenton se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm për zbatim dhe, mbi këtë bazë, ka përcaktuar nivelin e ri të pagave. Sipas Këshillit, vendimi synon të rikthejë nivelin e pagës së magjistratëve dhe të kompensojë efektin e asaj që është cilësuar si “ulje e fshehtë” e shkaktuar nga ndryshimet ligjore të vitit 2023. Vendimi pritet të shkaktojë debate të reja për kompetencat që lidhen me përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë.

The post A do të thellohet debati institucional me qeverinë dhe Kuvendin? KLGJ vendos rritjen e pagave të gjyqtarëve me 65.600 lekë, zbardhet vendimi appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme