A i beson kush Gruevskit kur thotë se “ka punuar shumë në të mirë të shqiptarëve”?

Ndryshimi i retorikës së ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, njëherit kryetar i VMRO DPME-së, partisë fituese ndaj LSDM-së me një dallim të ngushtë prej vetëm dy deputetësh, bëhet me qëllim të tërheqjes së partive shqiptare, pa votat e të cilave nuk do të mund të formojë qeverinë e re, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Në mega-intervistën dhënë revistës proqeveritare “Republika”, Gruevski thotë se shqiptarët kanë qenë më të favorizuar gjatë qeverisjes së tij sesa në kohën e qeverisjes së Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, parti kjo e cila tani drejtohet nga Zoran Zaev.

Gruevski ka thënë se “asnjëherë nuk i ka ndarë shqiptarët nga maqedonasit” dhe se “gjithmonë i ka trajtuar si qytetarë të barabartë”. Kjo “dëshmohet edhe më vizitën dhe ndihmat që i kam ofruar zonave të banuara me shqiptar gjatë disa fatkeqësive natyrore”, thotë ish-kryeministri maqedonas.

Ai gjithashtu është lavdëruar se në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së është sjellë Ligji për përdorimin e gjuhëve, janë hapur universitete në gjuhën shqipe, si dhe janë realizuar të drejta tjera për shqiptarët.

Por, para zgjedhjeve, Gruevski në të gjitha tubimet e partisë së tij ishte përqendruar pikërisht tek çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët, duke kundërshtuar me forcë qëndrimet e LSDM-së për zgjidhjen e problemit të gjuhës shqipe, por edhe të çështjeve tjera duke drejtuar akuza ndaj saj për federalizimin e vendit.

Bedri Ajdari, nga këshilli i familjarëve të gjashtë shqiptarëve të dënuar me burgim të përjashtëm për vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, që njihet si rasti “Monstra”, që besohet të jetë i montuar nga struktura të caktuara të pushtetit, nuk i beson më retorikës së Gruevskit.

Sipas tij, gjithçka që deklaron Gruevski ka vetëm se një qëllim, shpëtimin e tij nga, siç thotë, dënimi për shumë të këqijat që u ka sjellë qytetarëve të Maqedonisë.

“I dimë qëndrimet jo vetëm të Gruevskit, por edhe të VMRO DPMNE-së karshi shqiptarëve, përkatësisht i dimë të gjitha ngjarjet dhe veprat që kanë bërë. Kjo është vetëm se një retorikë mashtruese sa të bëj qeverinë dhe pastaj të gjithë ne e dimë se si do të vazhdojnë punët pas formimit të qeverisë së re. Jemi mashtruar një herë, dy herë, por tani vlerësoj se nuk ka vend për mashtrime”, thotë Ajdari.

Nga ana tjetër, Shpëtim Pollozhani, nga shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptar thotë se shqiptarët më nuk i besojnë Gruevskit dhe këtë siç thotë ai duhet të kenë parasysh partitë politike shqiptare.

“Në të gjitha anketat që janë bërë, 99 për qind e shqiptarëve janë deklaruar të pakënaqur nga politikat e tij. Unë jam i bindur se bëhet fjalë për një retorikë shterpe e cila kësaj radhe nuk do të kaloj tek shqiptarët. Vlerësoj se shqiptarë duhet të jetë të unifikuar për të bërë ndryshimin. Gruevski, përfundimisht duhet të zhduket nga skena politike pasi ka mjaftë mëkate jo vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe popullit të vet”, thotë Pollozhani.

Duke komentuar retorikën e Gruevskit, nga LSDM-ja thonë se ai e ka humbur legjitimitetin pasi shumica e qytetarëve kanë votuar për ndryshime. Zëdhënësi Petre Shilegov, thotë se qeveria e re do të formohet nga LSDM-ja ndërsa i ka bërë thirrje institucioneve që të mos i nënshtrohen presioneve të Gruevskit.

“Nikolla Gruevski dhe qeverisja e tij kriminale i takojnë të kaluarës. Shumica e qytetarët të Maqedonisë zgjodhën ndryshimin. Së shpejti do të kemi qeveri përgjegjëse për të gjithë qytetarët”, ka deklaruar Shilegov.

Nga partitë shqiptarë, përveç BDI-së së Ali Ahmetit e cila ende nuk është deklaruar qartë, të gjitha partitë tjera politike shqiptare janë deklaruar kundër qeverisjes me VMRO DPMNE-në. Bisedimet për formimin e qeverisë së re pritet të nisin javën që vjen./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme