A i bie ndërmend Edi Ramës se problemi serioz çam pret zgjidhje?

Nga Nazmi Nuredini

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është një nga Kushtetutat më demokratike në Europë për sa u përket minoriteteve. Minoriteti grek në Shqipëri, si më i madhi numerikisht, e që sipas censusit të fundit, kap shifrën 0.8% ose ndryshe rreth 38-40 mijë banorë (frymë) gëzon të gjitha të drejtat që i takon konform hartave europiane dhe OKB jo vetëm de jure, por edhe de facto.

Edhe të gjitha pakicat e tjera më minore, si ajo vllahe a (Arumune), maqedonase etj., gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre, si gjuhësore fetare e pasurore. E pikërisht kjo është për t’u marrë si shembull shumë pozitiv, për të gjitha vendet Ballkanike. Po shteti i sotëm grek, a ka njohur apo njeh sot minoritetet dhe u garanton atyre ato të drejta gjithëpërfshirëse që iu takojnë?

Absolutisht jo. Greqia është i vetmi vend në Europë, anëtare e BE që nuk njeh asnjë minoritet.

Dhe kjo është vërtet për të ardhur keq.

Shteti shqiptar asnjëherë mes tij dhe shtetit grek, nuk ka aplikuar politika të marrëdhënieve mbi bazën e reciprocitetit!

Shteti shqiptar vazhdimisht ka qenë nën trysninë e politikës së Athinës dhe i gjunjëzuar para saj.

E në një kohë kur e drejta qëndron 100 për qind në anën e Shqipërisë.

Tashmë ka ardhur një moment që politika e Tiranës të mos bëjë më politikën e kurrizit të përkulur. Natyrshëm e me të drejtë pyesim, se cili komunitet sot në Shqipëri ka një problem serioz dhe që prêt e prêt që të zgjidhet në favorin e Tiranës. E ky komunitet është pikërisht ai Çam. I shpërngulur nga trojet e tyre shekullore amtare të Çamërisë, përmes spastrimit etnik e gjenocidit të tmerrshëm nga Greqia në fundin e Luftës II Botërore.

Në vitet 1944, fshatra e qytete të tëra të djegura, mbi 5000 viktima gra, burra e fëmijë të vrarë barbarisht nga bandat Fashiste të gjeneralit Napoleon Zervas.

A është kujtuar ndonjëherë Edi Rama se Komuniteti Çam ka një problem serioz që prêt të zgjidhet?

Miliona dollarë pasuri e tundshme dhe patundshme e grabitur. Sipas ekspertëve të ekonomisë, pasuritë e  çamëve myslimanë sot arrijnë në 7 miliardë dollarë amerikanë. Dihet që krimineli e hajduti nuk t’i kthen ato që të ka grabitur. Por çamët kanë plotësisht 30 vjet që kërkojnë të drejtën e tyre, duke protestuar paqësisht e trokitur pa pushim në dyert e politikës së qeverisë së Shqipërisë për t’iu ardhur në ndihmë, për të realizuar e për të marrë me shumë të drejtë atë që iu takon pa asnjë mëdyshje.

Fatkeqësisht shteti shqiptar e ka bërë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj problemit të 300 mijë çamëve myslimanë këtu.

Qeveria e Edi Ramës jo vetëm që nuk e ka vënë ujin në zjarr për këtë problem por mjerisht dhe paturpësisht, ka preferuar të kundërtën duke u bërë palë me kërkesat e Athinës, që çështja çame të mos preket e zihet me gojë nga shteti shqiptar në takimet bilaterale se në të kundërt ajo (Athina), do të vërë veton që Shqipërisë të mos i hapen negociatat me BE-në.

Gjatë fushatës elektorale kur partia PDIU bëri koalicion me PS dhe Edi Ramën, ky i fundit premtoi publikisht dhe garantoi Komunitetin Çam se ai dhe partia e tij në pushtet do ta kishte një nga prioritetet e qeverisë “problemin çam” dhe jo të përpiqet ta çonte atë drejt zgjidhjes.

Madje ai (Rama) precizon dhe afate kohore, se në çdo gjashtë muaj, duhej të raportohej në Parlamentin Shqiptar mbi ecurinë e kësaj çështjeje.

Por çfarë ka ndodhur. Sa gjashtëmujore kanë kaluar nga ai premtim i Edi Ramës?

Plot 12 gjashtëmujorë. Vetiu lind pyetja. Sa herë u bë prezent ky problem në Parlamentin Shqiptar? As dhe një herë! Kurrë! E pabesueshme për çamët dhe për këdo shqiptar!

Si ka mundësi?

Një lider i Partisë së shumicës, apo më tepër kryeministër i një vendi, premton publikisht për ndihmën dhe angazhimin e tij personal për një problem të caktuar, në rastin konkret për zgjidhjen e problemit çam, të gënjejë kaq paturpësisht?!

Si mundet që kryeministri të kthehet në një mashtrues politik, ndaj një komuniteti, viktimë e Gjenocidit Fashist Grek, të grabitur, masakruar, gjakosur e vrarë e që kërkon ndihmën te kryeministri i një vendi, pjesë e së cilit janë edhe këta fatkeqë.!

Para pak ditësh, lideri ose udhëheqësi politik i Komunitetit Çam i PDIU, Idrizi, bëri një autokritikë të fortë dhe i kërkoi falje Popullatës Çame për hapin e gabuar që bëri në lidhje me koalicionin PS-PDIU.

Bukur fort! Por Idrizi nuk ua bëri të qartë çamëve se sa rëndë u kushton ai koalicion atyre.

Ku ishte PDIU dhe është sot?

Asnjë deputet në Parlamentin Shqiptar as edhe ai vetë! Kush e përfaqëson sot 7% të popullsisë shqiptare që janë çamët. Kurrkush. Shumë e rëndë. Gjithsesi reflektimi dhe kërkesa e ndjesës për hapin e rëndë e të gabuar politik nga ana e liderit të saj është për t’u përshëndetur. Le të vlejë autokritika publike e zotit Idrizi, për të nxjerrë mësim për raste të tjera. Jeta vazhdon, çamët janë në këmbë më të fortë se kurrë, të bashkuar siç dinë ata e pse jo të luftojnë deri në fund për të zgjidhur problemin e tyre. Do apo nuk do Edi Rama, apo disa që i venë atij pas politikisht, jo si shqiptarë të ndershëm por si lakej për një post apo karrige.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme