Dy komikët rusë, Vladimir Kuznetsov (Vovan) dhe Alexei Stoljarov(Leksus), kanë vënë në lajthitje edhe kryeministrin e Republikës së Kosovës. Njëri nga ta i është paraqitur kryeministrit Ramush Haradinaj në emër të ish-presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko, duke i thënë se pas zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë do ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës në shkëmbim të mbështetjes së Haradinajt.
Komikët rusë e kanë telefonuar dy herë kryeministrin Ramush Haradinaj, një herë në janar dhe një herë në prill.
Në këtë bisedë telefonike të publikuar në youtube nga ‘Russia 24 tv’, Haradinaj i premton mbështetje ‘Poroshenkos’, duke i thënë se do ta përkrahë publikisht përmes llogarisë së tij në twitter.
“Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për ju, dhe jam i lumtur që mund t’iu uroj sukses për të dielën. Kjo është shumë e rëndësishme për shtetin, do të lutem për ju në të gjitha zgjedhjet”, ka thënë Haradinaj gjatë bisedës me njërin prej komikëve rus, e për të cilin pretendonte se ishte Poroshenko.
Ndërkohë pas fjalëve të Haradinajt, ‘Proshenko’ i ka kthyer përgjigje duke i thënë se pas fitores do ta pranojë Kosovën si një shtet të pavarur.
“Po, dhe mendoj që pas fitores, unë do ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur”, i është përgjigjur komiku rus.
Pas kësaj bisede të zhvilluar, Haradinaj i rënë në grackë ka publikuar një status në twiterin e tij ku i ka uruar fitore në zgjedhje Petro Poroshenkos dhe kryeministrit të tij ‘Vovan Lexusov’.
“I uroj popullit të Ukrainës zgjedhje të lira dhe demokratike. Për mikun tim Poroshenko dhe kryeministrin e tij të ardhshëm Vovan Lexusov dëshiroj fitore për të udhëhequr Ukrainën drejt rrugës së integrimit Euroatlantik. Populli i Kosovës dhe ai i Ukrainës qëndrojnë së bashku për liri dhe propsoritet”, kishte shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në twitter, shkruan Gazeta Express.
Pre e komikëve rus ka rënë edhe kryeminsitri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, i cili ka treguar gjithashtu se ka qenë ai që ua ka dhënë numrin e Ramush Haradinajt, komikëve rus.
Zaev në bisedë më ta dëgjohet teksa flet me frikë për idenë e ndarjes së Kosovës, duke thënë se Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq kanë një plan për ta copëtuar Kosovën me mbështetjen e Rusisë dhe Turqisë.