Në shumë vende europiane ka nisur lehtësimi ose heqja totale e masave kundër covid. Gjermania, Anglia, Hungaria dhe Holanda i janë rikthyer normalitetit, ndërsa në Shqipëri koha ka mbetur në vend për të ashtuquajturit “ekspertë” të Komitetit Teknik.
Policia vazhdon të patrullojë pas orës 23:00 duke ndaluar qytetarët që kanë dalë nga shtëpia dhe që detyrohen ende të marrin leje në E-Albania. Po ashtu lokalet dhe restorantet detyrohen të mbyllen gjatë natës, pavarësisht se masat e tjera anti-covid shkelen në aktivitete të tjera.
Në anën tjetër, tubimet politike janë rikthyer sërish për fushatën e 6 Marsit, ndërsa distanca dhe mbajtja e maskave janë sot vetëm përgjegjësi personale.
Komiteti Teknik nuk mblidhet prej disa javësh. Më shumë se një mekanizëm për mbrotjen e qytetarëve, është shndërruar në një grupim që pengon rikthimin në normalitet të jetës së përditshme. Situata bëhet akoma më absurde, kur vetë mjekët kanë kërkuar heqjen e masave anti-Covid.
Në një intervistë për abc, mjeku Alimehmeti kërkoi rishqyrtimin e masave anticovid, duke parë se kurba e infektimeve është në rënie.
“Kurba ka qenë në rënie prej disa javësh. Më 23 janar patëm pikun e shtrimeve spitalore. Sot kemi rënë nën shifrën 100 të shtruar në spital. Tendenca e trajaktores është në rënie. Presim që kjo rënie të vazhdojë. Në Shqipëri koeficienti “r” i kurbës në 1 shkurt ishte 0.55, numri më i ulët në historikun e vendit tonë. Koeficiente është në rënie, qartësisht jemi në momentin që mund të mbështetet heqja e masave. Megjithatë, ka ende pacientë të shtruar në spital. Ne na shqetëson edhe një i vetëm që humb jetën” u shpreh Alimehmeti.
Mjeku imunolog Genc Sulçebe ka disa ditë që ka kërkuar heqjen e masave, pasi sipas tij shifra e të imunizuarve nga varianti Omicron është rritur ndjeshëm dhe i kalon 85%.
“Sigurisht edhe ora 23:00 nuk ka vlerë. Vlerë më të rëndësishme ka mbajtja e maskave, distancimi sidomos për individët që janë më të rrezikuar. Sidomos ato që nuk e kanë bërë vaksinën dhe moshat mbi 60 vjeç. Kufiri i orës 23:00 është i panevojshëm tani dhe mund të hiqet” tha Sulcebe për abc.
Ndërkohë vendet e tjera europiane kanë lehtësuar ndjeshëm masat, si më poshtë:
Kanadaja
Kanada ka lehtësuar hyrjen për udhëtarët ndërkombëtarë plotësisht të vaksinuar duke filluar nga 1 marsi. Qeveritë e provincave të Alberta, Saskatcheëan, Quebec dhe Manitoba, njoftuan planin e tyre për të hequr një pjesë ose të gjitha kufizimet kundër Covid. Sipas kësaj, Alberta, i dha fund çertifikatës së vaksinimit, ndërsa njoftoi se në fund të këtij muaji do të heqë gjithashtu detyrimin për mbajtjen e maskës.
Zvicra
Qeveria zvicerane morën vendimin për të lehtësuar lehtësuar masat anticovid më 2 shkurt 2022. Qeveria Zvicerane ka deklaruar se situata epidemiologjike është duke u përmirësuar, pasi vendi ka regjistruar ulje të numrit të rasteve, viktimave dhe pacientëve të shtruar në spitale.
Franca
Shteti francez ka lehtësuar masat anti-covid, duke përfshirë detyrimin për mbajtjen e maskës në ambientet e jashtme. Po ashtu vendi do të heqë kufirin për kapacitetin e audiencës në koncerte, ndjeshjeve sportive dhe eventeve të ngjashme.
Holanda
Pavarësisht numrit rekord të të infektuarve, Holanda ka lehtësuar masat anticovid. Stadiumet e futbollit, teatrot, kinematë dhe restorantet do të lejohen të presin vizitorë pothuajse pa kufizime dhe gjithashtu do të qëndrojnë të hapura sërish deri në orën 1:00 të mëngjesit, në vend të orës 22:00.
Hungaria
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban lehtësoi masat ndaj kovidt për shkak se shumica e qytetarëve ishte vaksinuar.
Gjermania
Qeveria gjermane ka thënë se personat e vaksinuar ose që janë shëruar nga COVID-19, do të përjashtohen nga kufizimet e kontakteve dhe orarit të lëvizjes. Ministrja e Drejtësisë, Christine Lambrecht, ka thënë se këto dy grupe të njerëzve do të trajtohen njëjtë si personat që kanë rezultuar negativ. Kjo do të thotë se mund të shkojnë në vende të tilla si, sallonet e bukurisë pa u testuar paraprakisht. Kabineti qeveritar i ka aprovuar ndryshimet. Shumë vende gjermane po planifikojnë të hapin turizmin në zonat ku shkalla e infektimit është nën 100 raste në javë në 100,000 banorë.
Greqia
Heqja e pjesshme e masave në lidhje me pandeminë e koronavirusit, përfshirë kufizimet në vendet e argëtimit, në udhëtimet shkollore dhe ngjarjet sportive do të hyjë në fuqi më 19 shkurt në Greqi. Ministri grek i Shëndetësisë Thanos Plevris theksoi se ”komiteti i ekspertëve të shëndetësisë pas kërkesës së qeverisë vendosi që të heqë disa kufizime” dhe se “puna në distancë do të jetë e kufizuar në 20% të stafit të sektorit publik dhe privat”.
Anglia
Qeveria e Anglisë lehtësuar masat antiCovid. Sipas planit të ri të masave shtetasit nuk do ta kenë të detyruar mbajtjen e maskave. Sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid tha se masat mund të hiqen për shkak të personave me shumicë të vaksinuar. Zëdhënësi zyrtar i Kryeministrit tha se mbajtja e maskës tani do të jetë një çështje gjykimit personal.
Austria
Është shteti tjetër që ka bërë të mundur lehtësimin e masave. Duke nisur nga ky muaj, ora policore do të zbatohet nga mesnata, pasi aktualisht qarkullimi ndalohet nga ora 22:00.Ndërkohë nuk do të ketë më kërkesë për testim apo pasaportë të vaksinës në sektorin e shitjes. Njerëzit do të mund të të vizitojnë restorantet dhe baret me një test negativ, por nuk është më nevoja për një vërtetim të vaksinimit.