Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq anëtarin e komisionit që dyshohet se abuzoi me prokurimet në Spitalin e Lushnjës ‘Ihsan Çabej’.
Sipas hetimeve shtetasi me iniciale N.B., me detyrë Përgjegjës i Teknikës dhe Hotelerisë ka kryer procedurën e prokurimit me objekt “Riparim shërbim ashensori”, në shumën 468.000 lekë.
Ky shtetas me detyrë funksionale si anëtar në komisionin e prokurimeve ka kryer i vetëm praktikën përkatëse të prokurimit, në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.
Njoftimi i prokurorisë:
Abuzoi me prokurimet në Spitalin ‘Ihsan Çabej’, Prokuroria Fier çon në gjyq për ‘Shpërdorim Detyre’ shtetasin N.B.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dërgon në gjyq shtetasin N.B për ‘Shpërdorim Detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve të procedimin penal nr.566 datë 22.09.2022, të regjistruar mbi bazën e raportit të auditit të Ministrisë së Shëndetësisë për auditimin e kryer në Spitalin “Ihsan Çabej”, Lushnjë, rezultoi se shtetasi N.B., me detyrë Përgjegjës i Teknikës dhe Hotelerisë ka kryer procedurën e prokurimit me objekt “Riparim shërbim ashensori”, në shumën 468.000 lekë.
Ky shtetas me detyrë funksionale si anëtar në komisionin e prokurimeve ka kryer i vetëm praktikën përkatëse të prokurimit, në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.
Në përfundim të hetimeve, prokuroria vlerësoi se, nga tërësia e veprimeve dhe mosveprimeve, shtetasi N.B ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe në kundërshtim me detyrën funksionale të tij dhe për këtë shkak ngriti akuzën për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar në nenet 248 i Kodit Penal dhe dërgoi për gjykim.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që shpëdorojnë funksionin publik të besuar duke cënuar interesat e shtetit apo individëve.