Adem Grabovci sërish humb betejën me Insajderin

E shtune, 12 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Adem Grabovci sërish ka marrë lajm jo të mirë nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Gjyqi ka vendosur për të hedhur poshtë padinë e tij kundër Insajderit për kompensim të dëmit jo-material. Po ashtu, gjykata ka rivendosur për hedhjen poshtë edhe të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë – largimin nga publikimi të materialeve që janë pjesë e serisë “Dosja e Shefave”.

Rasti është kthyer në rigjykim pas vendimit të Gjykatës së Apelit, i cili kërkonte që Gjykata Themelore të kërkonte më shumë material nga paditësi. Apeli nuk ishte pajtuar me vendimin e shkallës së parë që kishte hedhur poshtë kërkesën për masë të përkohshme. Apeli urdhëroi që Themelorja të shqyrtonte sërish këtë kërkesë dhe të kërkonte material shtesë lidhur me padinë për kompensim.

Por, Gjykata Themelore nuk është bindur nga materialet shtesë të dorëzuara nga Florent Latifaj, avokati i Grabovcit. Ai i ka dorëzuar gjykatës të gjithë materialin e publikuar nga Insajderi, që është pjesë e serisë “Dosja e Shefave”.

Këtë e ka bërë pas vendimit të Gjykatës së Apelit që kërkonte nga shkalla e parë që të kërkojë material shtesë nga paditësi lidhur me padinë e tij dhe kërkesën për masë te përkohshme – largimin e incizimeve të publikuara.  Por, Gjykata Themelore ka konkluduar se paditësi, i cili ka dorëzuar tërë materialin, nuk ka specifikuar se në cilën pjesë të tij i shkaktohen dëme klientit të tij, deputetit Adem Grabovci.

“… paditësi i ka bashkangjitur si prova materiale artikujt e publikuar nga të paditurit, transkriptet e bisedave telefonike të paditësit me persona tjerë si dhe CD-të e këtyre incizimeve. Mirëpo nuk janë specifikuar asnjëra nga këto biseda se paditësit i kanë shkaktuar dëmin jo material, nuk jane konkretizuar bisedat e tilla si dhe nuk është specifikuar propozimi se për cilat biseda behet fjale- për ato të cilat tashme janë publikuar apo për ato te cilat paditësi pretendon se do te publikohen”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të marrë më  11 nëntor të këtij viti.

Kjo ka shtyrë gjykatën që të ri-vendos për hedhjen poshtë të kërkesës së Grabovcit.

“Parashtresa e dorëzuar për plotësimin e padisë dhe propozimit për caktimin e masës së sigurimit nuk është korrigjuar, ngase në mënyrën se si është formuluar nuk i plotëson kushtet që gjykata të veproj sipas të njëjtave për shkak se nuk është sqaruar kërkesëpadia dhe propozimi për masën e sigurimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore.

E njëjta shkallë gjyqësore, më 12 gusht të këtij viti, kishte hedhur poshtë kërkesën e Grabovcit për masë të përkohshme, me arsyetimin se nuk ka kurrfarë shkelje ligjore dhe se paditësi – Adem Grabovci, nuk ka ofruar asnjë provë se Insajderi ka shkelur privatësinë, apo të drejtat tjera kushtetuese.

Por, ishte shkalla e dytë, Gjykata e Apelit, që hedhi poshtë vendimin e Gjykatës Themelore  duke i dhënë udhëzime të qarta avokatit të Grabovcit, se çfarë veprimesh dhe provash duhet të prezantojë kundër Insajderit në rastin e publikimit të përgjimeve./Insajderi.com