Aeroporti i Gjakovës – Një histori e ndërtuar mbi mashtrim

Autor: Parim Olluri

Krejt çfarë Qeveria e Kosovës lidhur me Aeroportin e Gjakovës është mbushja e bordit me militantë partiakë. Premtimi i madh për hapjen e aeroportit të dytë komercial në vend nuk është realizuar. Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Mimoza Kusari-Lila përfituan më së shumti nga ky mashtrim elektoral.

A është Abdullah Hoti, ministri i financave, një mashtrues apo një viktimë e mashtrimeve të liderëve politik,  të cilët për interesa të tyre gënjyen për vite me radhë hapjen e aeroportit të dytë komercial në Kosovë?

Këtë dilemë e kam që nga 1 tetori, kur punëtorët e Aeroportit të Gjakovës u larguan nga vendet e tyre të punës. E lanë shkretë ndërmarrjen. Kishin arsye ta bënin këtë. Nuk janë paguar qe tre muaj.

Aty kanë mbetur vetëm asetet e ndërmarrjes në vlerë prej miliona eurove.

Të lëna shkretë ato janë një mundësi e mirë për pasurim për të gjitha kategoritë e hajnave- të rrugës dhe atyre politik. Të dytët kanë përparësi për t’i vjedhur ato. Punën e kanë lënë edhe punëtorët e sigurimit. Ato nuk i ruan askush.

Por çfarë bëri Abdullah Hoti, ministri i financave dhe përgjegjësi për pagat e papaguara të punëtorëve që u larguan nga Aeroporti i Gjakovës?

Nuk pati asnjë deklaratë të tij se pse ata nuk paguhen.  Asnjë sqarim publik nga ministria që e drejton.

Ai krejt diçka krejt tjetër kishte thënë para një muaji, më 6 shtator.

“Aeroporti i Gjakovës drejt funksionalizimit si aeroport civil dhe për ushtrinë e ardhshme të Kosovës”, kishte shkruar ministri Hoti në Facebook. Ky postim është fshirë nga faqja në Facebook e ministrit.

Ndoshta u bind se premtimi që bëri për funksionalizimin e aeroportit të dytë civil në Kosovës, është i paarritshëm. Ndoshta dikush nga shefat e tij në Qeveri i tregoi se kjo nuk mund të bëhet dhe se është thjeshtë një mashtrim elektoral.

Megjithatë, Hoti është i fundit që hyn në vallen e mashtrimeve për hapjen e aeroportit të dytë komercial.

Këtë ide e kishin trumbetuar para tij, shefi i Qeverisë Isa Mustafa, Hashim Thaçi gjatë kohës sa ishte kryeministër si dhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Ish-ministja e Tregtisë e Industrisë ka ardhur në krye të komunës së Gjakovës duke iu premtuar bashkëvendësve të saj “hapjen e aeroportit të dytë komercial në Kosovë”.

Ajo e ka ditur ose duhet ta ketë ditur se kjo është vështirë e realizueshme. Por, kjo ka pak rëndësi kur bëhet fjalë për ngjitjen në pushtet. Nuk është e vetmja.

Të gjithë para saj dhe pas saj janë ngjitur në pushtet në këtë mënyrë- duke dhënë premtime që as vetë nuk i besojnë.

Në rrugë të ngjashme kanë ardhur edhe kryeministri Isa Mustafa dhe paraardhësi i tij Hashim Thaçi.

Kjo tashmë është e lejuar.  Askush nuk fajësohet për mashtrime elektorale.

Një prej tyre është edhe Aeroporti i Gjakovës- një mashtrim tipik elektoral i propaganduar nga të gjithë politikanët.

Nga të gjithë që kanë qenë në dijeni për kontratën e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit Limak dhe Aeroports de Lyon për koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Kontrata u nënshkrua para më shumë se gjashtë vjetësh, në gusht të vitit 2010.

Bazuar në këtë kontratë, hapja e një aeroporti të dytë komercial në vend është vështirë e realizueshme.

Qeveria është marrë vesh me koncesionarin se do t’i sigurojë pozitë monopoliste në treg dhe se do të veprojë kundër hapjes së aeroportit të dytë komercial.

Nenet e kësaj kontrate e tregojnë këtë. Përkatësisht, neni 13.6 që e siguron koncesionarin Limak dhe Aeroports de Lyon se nuk do t’i nënshtrohen konkurrencës së drejtpërdrejtë me hapjen e një aeroporti tjetër komercial në Kosovë.

Por, edhe nëse një i tillë hapet Qeveria e Kosovës obligohet që t’ia kompensoj të gjitha humbjet koncesionarit të Aeroportit të Prishtinës.

Obligimet që dalin nga kjo kontratë e kanë pamundësuar Qeverinë e Kosovës, që të lëvizë në drejtim të hapjes së aeroportit të dytë komercial.

Duke se hapja e një aeroporti të dytë do t’i shkaktonte më shumë humbje se sa përfitime Qeverisë së Kosovës.

Në pamundësi për të lëvizur në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës krejt çfarë ka bërë është themelimi i ndërmarrjes publike “Aeroporti i Gjakovës”, dhe dërgimi i një grupi militantësh në bordin e ndërmarrjes.  Kjo është bërë në mars të vitit 2014.

Mbushja e ndërmarrjeve publike me militantë është specialiteti i udhëheqësve qeveritarë. Është e vetmja punë që mund ta kryejnë suksesshëm. Dhe e kanë bërë këtë. Në bordin e ndërmarrjes “Aeroporti i Gjakovës”, janë dërguar militantë nga PDK dhe LDK, dy partitë që e udhëheqin koalicionin.

Derisa logjika e qeveritarëve nuk shkon përtej krijimit të ndërmarrjeve publike dhe mbushjen e tyre me militantë partiakë, premtimi për hapjen e aeroportit të dytë është vështirë i besueshëm.

Ata nuk janë të interesuar për zhvillim. Por, premtimin e njëjtë do ta japin edhe në fushatën elektorale të zgjedhjeve të ardhshme.

Dhe ne do të ju besojmë sërish, dhe sërish do të ankohemi për mos mbajtjen e premtimit.

Dhe kështu historia mashtruese për hapjen e një aeroporti të dytë do të bëjë më shumë vjet.

Aktualisht i ka vetëm tri, prej kur më 2013 nisën nisi transferimi i Aeroportit nga KFORI italian tek Qeveria e Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme