Shkruan: Adnan Rrustemi
Sundimi autoritar nuk është e thënë të shfaqet në trajtën dhe formën e njëjtë historike. Zaten, përkundër të përbashkëtave, asnjëherë një regjim autoritar pasues nuk ka qenë tërësisht i njëjtë me pararendësit e tij. Përkufizimi i një regjimi sundues duhet të bëhet në kontekst kohor e hapësinor dhe nën dritën e standardeve mbretëruese. Kësisoj, po të shihet qeverisja në Kosovë dhe mënyra se si po vihen në funksion të agjendave tërësisht politike dhe partiake institucionet që pandehen si të pavarura, që për më tepër do të duhej të shërbenin si kontrollues dhe balancues reciprok të pushteteve, na bëhet e qartë se gjithnjë e më shumë po rrëshqasim drejt njësimit të pushteteve dhe institucioneve politike si pararojë e një sundimi arbitrar.
Etablimi i një regjimi autoritar në kuptimin e vërtetë të fjalës, parasëgjithash ngërthen pezullimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe pushimin deri në shkrirje të të gjitha pushteteve, institucioneve dhe mekanizmave që nominalisht i mundësojnë këto liri dhe të drejta, duke e pamundësuar arbitraritetin qeveritar e ruajtur thelbin republikan të shtetit. Filozofi i njohur Giorgio Agamben thekson se njëri nga tiparet thelbësore të gjendjes së jashtëzakonshme – fshirja e përkohshme e dallimit mes pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor – tregon këtu qartazi prirjen për t’u shndërruar në praktikë të qëndrueshme të qeverisjes.
Ngjashëm në Kosovë, ku Parlamenti është suspenduar dhe funksionit ligjvënës i është mbivendosur ligjbërja e dekreteve dhe e vendimeve qeveritare, e më shumë se kaq vendimeve partiake, ndërsa gjyqësori është shndërruar në pallatin e arsyetimeve të gjykimeve tanimë policore, madje qeveritare, ndërkaq shteti është bërë një me partinë, në rastin tonë me partitë, më tutje shteti=PDKLDK. Kësodore, është e pritshme që kushdo që artikulon haptazi apo heshturazi bindje dhe qëndrime politike kundër tiranisë së tyre, së paku do të quhet “shkatërrues shteti”, “terrorist”, e rëndom duhet të presë verdiktin gjyqësor në të njëjtën ditë e në të njëjtën faqe me aktakuzën, e nga prokurori që në të njëjtën kohë efektivisht është edhe gjyqtar.
Kështu, duke qenë se e keqja përgjithësisht është e përqendruar në këtë qeveri, e cila shërben si hapësirë e lirë vetëm për klanin “Pronto” dhe argatët e tij, si dhe burim i pafundmë i marrëveshjeve të dëmshme e koncesioneve për Serbinë, si kusht i domosdoshëm për mbijetesën e tyre, ndërsa jashtë perimetrit të saj gëlon vullneti qytetar i pa përfaqësuar, ai vullnet që në plotëni e më së miri përfaqësohet nga gjashtë aktivistët e arrestuar, të cilët shëmbëllejnë përpjekjen tonë kolektive për republikë, demokraci e jetë me dinjitet. Prandaj, burgosja e tyre nuk ka si të mos jetë edhe burgosje e vullnetit të qytetarëve për liri, demokraci e zhvillim, për të mbetur të lirë prontokriminelët. Për rrjedhojë, burgosja e aktivistëve që personifikojnë angazhimin politik për rrëzimin e këtij regjimi të mbrujtur nga krimi dhe korrupsioni është qartazi përpjekje e këtyre politikanëve të korruptuar që të shmangin burgun, të cilët të bindur se e vetmja portë që i pret në çastin e daljes nga institucionet është ajo e burgut, janë të gatshëm (po i lejuam) që të burgosin secilin nga ata që nuk pajtohen me sundimin e tyre, vetëm që të mbesin në pushtet si arratisje nga fati i tyre i paracaktuar, për t’u përgjigjur para drejtësisë për vjedhjet, plaçkitjet, krimet e dëmet ndaj vendit.
Gjashtë aktivistët e arrestuar mbi bazën e provave të montuara, provojnë vetëm thelbin autoritar të sistemit. Arrestimi i tyre tregon se çfarë është në gjendje të bëjë ky regjim, dhe çfarë e pret secilin nga ata që ka vetëdijen, kurajon dhe guximin të ngrihet kundër tyre dhe të angazhohet për t’i dhënë fund sundimit të tyre, si rrugë drejt ndëshkimit të tyre, jo vetëm politik, por edhe penal. Të burgosurit politikë, zëdhënësi i subjektit më të madh opozitar, aktivistë politikë e studentë të zellshëm të filozofisë, mjekësisë e drejtësisë, lexues letërsie e adhurues të artit e filmit në veçanti, paradoksalisht aq sa shpërfaqin thelbin autoritar të sistemit, lemerinë për këtë kastë qeverisëse, po aq janë mundësia jonë kolektive. Në rrethana të tilla, secili prej nesh që në një mënyrë apo tjetër nuk pajtohemi, e kundërshtojmë këtë gjendje, paraqesim objektiv të mundshëm që potencialisht të ndodhemi në vend të, apo bashkë me Frashërin, Adean, Atdheun, Egzonin, Astritin e Petritin. Ata po hyjnë në tridhjetëditëshin e dytë të mbajtjes në paraburgim dhe arrest shtëpiak pa kurrfarë fakti e dëshmie, dhe qartazi me një proces të motivuar politikisht dhe të montuar e arbitrar juridikisht.
Hapur, por në kundërshtim me Kushtetutën, i tërë aparati shtetëror është në linjë të njëjtë kur bëhet fjalë për ruajtjen e kësaj gjendje dhe ngadalësimin e ndryshimit të pashmangshëm. Pasiqë televizioni publik nga zyrat e partisë ka shpërndarë propagandën, i ashtuquajturi president i quan “terroristë”, qeveria e pason atë me urdhra politikë për policinë, ndërsa policia e gjyqësia sikur për të kënaqur kastën sunduese, nxitojnë të fabrikojnë prova, mbi të cilat ngritën aktakuzat për terrorizëm. Ndërkaq, nga emisionet televizive polici shpallë vendimin për vazhdimin e arrestit.
Arbitrariteti qeveritaro-policor ka nisur të fitojë normalitet në shoqërinë kosovare dhe ky paraqet rrezikun dhe shqetësimin më të madh. Gjithsesi, ka rëndësi që të mos harrojmë se sa më të pranueshme do të duken deklaratat dhe veprimet e tilla, aq më shumë do të vazhdojë që të rritet autoritarizmi ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe.
Kur pushteti i dhunon liritë themelore, madje edhe të drejtat e garantuara nga Kushtetuta, atëherë çfarë i mbetet që të bëjnë qytetarët, përveçse të organizohen kundër Qeverisë në protesta dhe bashkime elektorale për ta rrëzuar atë, ose të heshtin deri në nënshtrim të plotë, duke shpresuar se gjuetia e tyre përmes arrestimeve, përndjekjeve e burgosjeve me procese të montuara, nuk do t’i ndodhin atij personalisht, ani pse qytetarë të tjerë, miq e shokë të tyre tanimë veç janë viktimë e drejtpërdrejtë e këtij sundimi arbitrar.