Gjatë dy viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i maqedonasve që janë pajisur me shtetësi bullgare.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë në Sofje, mbi 16.700 shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë marrë shtetësi bullgare, raporton BGNES.
Nga viti 2013 deri në vitin 2019, numri i maqedonasve që kanë marrë nënshtetësinë bullgare varionte nga pothuajse 1900 deri në 6200 në vit.
Të dhënat e Ministrisë bullgare të Drejtësisë tregojnë se në totalin e shtetësive të miratuara bullgare, më dominuese janë ato për shtetasit e Maqedonisë.
Trendi i marrjes së dokumenteve bullgare nuk ndalet, gati 3500 maqedonas kanë dosje të hapura – Presin të marrin një dekret që do t’i bëjë shtetas bullgar.
Në mungesë të informacioneve zyrtare, në Maqedoni mbeten vetëm spekulime se sa është numri i shtetasve maqedonas që kanë marrë shtetësinë bullgare ndër vite.
Në 15 vitet e fundit, numri i maqedonasve me nënshtetësi bullgare është mbi 86 mijë persona.
Kjo përfaqëson gjysmën e të gjithë atyre që kanë aplikuar për shtetësi në Bullgari.
Maqedonasit janë tre herë më shumë se moldavët, të dytët në listën e qytetarëve që masivisht kërkojnë dhe marrin nënshtetësinë bullgare.